Baze: E bëri si lojtar, Xhafa e arrin edhe si trajner i Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2024 | 21:37

Baze: E bëri si lojtar, Xhafa e arrin edhe si trajner i Lushnjës

Lushnja është ekipi i vetëm i Kategorisë së Parë që ka qenë i paangazhuar në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, pasi dihet që pësuan një eliminim surprizë në start nga Oriku. Lushnjarët vijojnë të përgatiten për ndeshjen e radhës, që do ta luajnë në fillim të javës së ardhshme ndaj liqenorëve.

xhafa me lushnjen

Skuadra e drejtuar nga trajneri Erion Xhafa do të udhëtojë drejt Pogradecit, për javën e 13-të të kampionatit. Interesimi për skuadrën verdhejeshile vijon të mbetet i lartë. Lushnja ka humbur tri transferta radhazi, me Burrelin, Vorën dhe Flamurtari, ndaj në Pogradec duan të prishin serinë e humbjeve jashtë shtëpisë.

Është një përballje e drejtpërdrejtë për vendin e gjashtë, teksa të dy skuadrat kanë nga 15 pikë në klasifikim. Verdhejeshilët e kanë fituar 1-0 takimin e fazës së parë në “Roza Haxhiu”, me gol të shënuar nga sulmuesi Albi Xhabrahimi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori Okeljan Baze analizon situatën dhe uron që Lushnja të kthehet sa më shpejt në elitë.

“Si ish- lojtar i të dy skuadrave, Pogradeci-Lushnja e shoh si një ndeshje të barabartë. Mendoj se në këtë duel diferencën do ta bëjë eksperienca. Skuadrat vijnë pas ndërprerjes së kampionatit dhe tani do të shohim se si do të jenë në fushë. Të dy ekipet kanë ndryshuar trajnerët dhe janë të motivuar të bëjnë më të mirën e mundshme. E kam ndjekur Lushnjën me vëmendje dhe më ka krijuar besim se mund të jetë në katërshen e parë.

Ma ka krijuar këtë besim me lojën që po bën. Sigurisht, si një bashkëlojtar me trajnerin Xhafa dhe duke njohur filozofinë e lojës së tij, jam i bindur se Lushnja do të rikthehet në rrugën e duhur, aty ku e duan të gjithë lushnjarët, në elitën e futbollit shqiptar. Atë që e bëmë si lojtar, besoj se Xhafa do ta bëjë edhe si trajner”, deklaroi mesfushori i Lushnjës Okeljan Baze.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"