Befason Oriku, por Vora e përmbys me 3 gola. Trajneri Bellai: Ishim konfuzë në pjesën e parë
Vora nuk e priste që me Orikun ta kishte kaq të vështirë kualifikimin në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë. Sepse miqtë kanë shënuar të parët në ndeshjen e djeshme dhe e kanë ruajtur avantazhin në 45-minutëshin e parë.
Vetëm në fraksionin e dytë Vora është shkundur dhe në harkun kohor të 17 minutave ka shënuar 3 gola për të marrë kualifikimin.
NDESHJA – Përsa i përket kronikës, duhet thënë se Oriku kishte dy mundësi për të shënuar në fillim me Shkrelin dhe Mezanin, por portieri Jata tregoi aftësitë e tij. Bardhi rrezikoi më pas për Vorën dhe vetëm një minutë më vonë do të vinte goli i avantazhit të miqve. Oriku fitoi një goditje të lirë në krahun e djathtë dhe Zholi e ekzekutoi atë shumë bukur, duke e çuar topin në rrjetë, edhe pse nga një pozicion diagonal. Më pas epërsia e Vorës ishte e dukshme, por skuadra e trajnerit Bellai nuk kishte shënjestrën e duhur.
Disa gjuajtje drejt portës së Varfit nuk u finalizuan dhe pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1. Në të dytën Vora i ka shtuar ndjeshëm sulmet. Në minutën e 51-të mbrojtësi i djathtë Ismaili goditi saktë me kokë dhe 1-1. Por nuk kaluan as 3 minuta dhe Kevi Dalipi shënoi një eurogol me një gjuajtje nga distanca. Vora e kaloi “makthin” e 45 minutave të para dhe në të 68-tën siguroi kualifikimin me golin e 3-të, të shënuar nga Dajan Shehi, pas krosit të Tabakut. Vora kalon në turin tjetër, ku do të ndeshet me Skënderbeun në Korçë.
Vora–Oriku 3-1
Golat: Ismaili 51’, Dalipi 54’, Shehi 68’ / Zholi 15’
Vora: Jata, Ismaili, Tabaku, Lika (Hasrama 73’), Nikqi (Ruzgis 46’), Bardhi, Dalipi, Imami, Sefa (Avdiu 46’), Shehu, Geci. (Në dispozicion: Ruçi, Kasalla, Vrapi, Aneni, Ntepe, Duka, Mata). Trajner: A.Bellai
Oriku: Varfi, Gjipali, As.Bunkhoev, Lukas (Gernecaj 46’), Shkreli (Kondaj 46’), Kolonja, Kamberaj, Mezani (Dalanaj 69’), Peçuli, Zholi (Itohan 46’), Buxhelaj (Gjoka 46’). (Në dispozicion: Ak.Bunkhoev, Da Silva, Llojaj, Gjinaj, Ekoro). Trajner: SH.Idrizaj
Gjyqtarë: E.Rusta, E.Kapxhiu, M.Salla (Elbasani)
Kartonë të verdhë: Gjipali 63’, Gernecaj 64’
Delegat: Bujar Pregja (Tiranë)
Vëzhgues: Sokol Çekaj (Laç)
Kartonë të verdhë: Gjipali 63’, Gernecaj 64’
Trajneri i Vorës
Bellai: Ishim konfuzë në pjesën e parë
Pas ndeshjes, trajneri i Vorës, Arjan Bellai, pranoi se të tijtë ishin konfuzë në pjesën e parë: “U kisha thënë lojtarëve që të kishin kujdes nga Oriku, por fillimi ishte disi çorientues dhe pësuam me atë gol. Kjo na detyroi që të ndërhynin edhe me lojtarë të formacionit bazë, duke bërë që ta përmbysnim ndeshjen dhe të merrnim fitoren. Vora ka synime në të dy kompeticionet. Në kupë kërkojmë të shkojmë sa më larg, ndërsa në kampionat duam të ngjitemi në Superiore. Lojtarët arritën kualifikimin, por kjo nuk më kënaqi sa duhet, pasi ishin konfuzë në pjesën e parë. Pas golit u çliruam dhe arritëm përmbysjen”, është shprehur trajneri gjirokastrit.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"