Bellai: Pa dhënë shpirtin në fushë, nuk merr kurrë rezultat
Vora do të udhëtojë drejt Peshkopisë për t’u ndeshur me Korabin. Sfida parashikohet të jetë e vështirë për ta dhe do t’u duhet shumë mund e djersë për të arritur te një rezultat pozitiv.Trajneri Arian Bellai, gjatë gjithë javës, përveç seancave stërvitore, ka punuar shumë me ekipin edhe në aspektin psikologjik. Ai i ka mëshuar faktit se ekipi duhet të japë gjithçka në fushë.
“E rëndësishme është që skuadra ka nisur të bëjë mirë. Këtë e treguam në ndeshjen e fundit kundër Valbonës, ku rezultati mund të ishte më i thellë. Ende ka disa luhatje psikologjike, të cilat e fusin skuadrën në panik, por që duhet të rregullohen patjetër në ndeshjen e radhës kundër Korabit. Për mua, të gjitha ndeshjet, si me Valbonën edhe me Korabin, sikur të ishe pritës apo dhe mik, i konsideroj të gjitha të vështira. Po nuk investove dhe nuk dhe shpirtin në fushë, siç e dhanë me Valbonën, asnjëherë skuadra jonë nuk do të marrë atë që dëshiron. Kurrë nuk mund të marrësh një rezultat po nuk luajte me zemër e të lesh shpirtin në fushë. Kemi punuar gjithë javën për këtë gjë dhe për mua, kushdo që të jetë në fushë, janë njëlloj dhe nuk mund të ketë dallime mes tyre në rolet që kanë. Edhe në Peshkopi do të synojmë tri pikët. Nuk mund të them se ndikon fusha, por çdo ndikim vjen nga vetë lojtarët. Kemi punuar gjatë këtyre 5 ditëve që skuadra të luajë me zemër e të shkojë me mentalitet fituesi në këtë transfertë”, deklaroi gjirokastriti i Vorës, Arian Bellai, para ndeshjes me dibranët.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"