Besa eliminon Flamurtarin në Vlorë. Agostineli: Tani të ruajmë kreun në kampionat. Josa: E vështirë fitorja në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 12:13

Besa eliminon Flamurtarin në Vlorë. Agostineli: Tani të ruajmë kreun në kampionat. Josa: E vështirë fitorja në Kupë

Besa surprizon Flamurtarin duke e eliminuar nga Kupa e Shqipërisë pikërisht në Vlorë. Kuqezinjtë u mposhtën nga Besa me rezultatin e ngushtë 1-0, ku vendosi goli i Kanu. Flamurtari nuk e kishte menduar aspak të lehtë, por jo deri te eliminimi nga Kupa.

flamurtari besa kupe

PJESA E PARË-  Besa tregohet kërkuese dhe e saktë që në nisje të takimit, ku loja u përqendrua te pasimet e shkurta. Kombinimet e sakta mes Oliveirës, Spahiut dhe shërbimit për Kanu do të bënte që ky i fundit të mos e kishte aspak të vështirë që me një gjuajtje të lehtë të mposhte Kaloshin. Vlonjatët në fushë dhe në tribunë shokohen. Besa kishte freski dhe vrull për të vijuar edhe më tej presionet, ndërsa skuadra e Agostinelit lëvizte pa busull. Vlonjatët vendosen në vështirësi edhe nga ish-i Oliverira, që me një gjuajtje brenda zonës sa nuk shënon të dytin. Kanu nuk ia doli me dy gjuajtjet të rrezikshme. Shënjestra e duhur i mungoi edhe Spahiut me Mazrekajn. Braziliani Oliveira kërcënoi portën me një tjetër gjuajtje, por që përfundoi jashtë. Vlonjatët nuk dukeshin gjëkundi. Madje, as Adem të cilit iu besua roli i titullarit dhe as Hasa nuk kishin ditën e tyre të mirë. Vendasit do të zgjoheshin vetëm në minutën e 43-të. Vasil Shkurtaj ishte shumë afër portës mike, por topi shkoi mbi tranversë. Pjesa e parë mbyllet në shifrat 0-1.

PJESA E DYTË – Flamurtari e nis fraksionin e dytë me dy zëvendësime. Adem dhe Murataj ulen në stol për t’ia lënë vendin Paolo Pjeshkës dhe Diavarasë. Pas 9 minutash do të ulej në stol edhe Hasa, për t’u hedhur në fushë Allmuça. Besa bën vetëm një ndryshim. Abdulai lë fushën i dëmtuar dhe zëvendësohet nga Kapo. Në minutën e 52-të, Kanu rrezikon, por Kaloshi bën detyrën. Allmuça i jep një impuls lojës së vlonjatëve, ku shfaqet rrezikshëm, por Diavara e pengon. Besa mbrohet mirë, pavarësisht se vlonjatët sulmojnë. Ka një mundësi shumë të mirë Flamurtari për të barazuar me Paulo Pjeshkën, por topi kalon në krahun e majtë të portierit dhe përfundon jashtë.

Pasime të shkurtra nga vlonjatët që dominojnë në pjesën e dytë. Ememe në zonën e rreptësisë gjuan, por ndërhyn Goxhaj spastron zonën. Allmuça ka një rast, por devijon topin shumë metra larg portës së Mehidrit. Ememe provon sërish me një gjuajtje të fortë, por Nurja spastron zonën në vijim. Denis Pjeshka provon me kokë, por Besa largon rrezikun. 5 minuta shtesë në fund të pjesës së parë. Portieri Mehidri ndëshkohet me të verdhë për vonesa të lojës, por duket se është tepër vonë për Flamurtarin në një ditë plot hije dhe jo me lojë të rrjedhshme dhe teknike. Besa mbron me tepër forcë. Rrezikojnë Paulo Pjeshka dhe Shkurtaj, por Mehidri zgjidh gjithçka. Në fund Besa feston kualifikimin dhe turin e tretë do të përballet me Vllazninë në Shkodër, ndërsa Flamurtarit i mbetet vetëm kampionati.

FLAMURTARI-BESA 0-1

GOLI: Kanu 4′

FLAMURTARI: Kaloshi, Bolanos, Kacbufi, Atanda, Trashi, D.Pjeshka, Hasa (Allmuça 55′) Adem (P. Pjeshka 46′), Murataj (Diavara 46′), Kobian (Selimi 74′), Shkurtaj.(Në dispozicion: Qarri, Beqja, Marku, Leshi, Hoxhaj). Trajner: Andrea Agostoneli

BESA: Mehidri, Frashëri, Goxha, Abdulai (Kapo 55′), Stafa (Gjinaj 70′) Nurja, Mëgjulla, Mazrekaj (Dabo 70′), Oliveira, Spahiu, Kanu. (Në dispozicion: Ahmetaj, Kikonda, Nkube, Deliu, Ibrahimi). Trajner: Mirel Josa

KARTONË TË VERDHË: Kobian 27′, Trashi 36′, Ememe 90’/ Mazrekaj 27′, Goxha 79′, Frashëri 90′

GJYQTARË: I.Myrtja, J.Podgorica, A.Çobaj (Shkodër)

DELEGAT: Arbër Kalemi (Durrës)

VËZHGUES: Mentor Sopjani (Elbasan)

Mirel Josa

“Fitore e vështirë, të shohim si do të shkojnë gjërat në kampionat”

Atë që nuk e bënë në kampion dhe në shtëpinë e tyre, kavajasit e realizojnë në Kupë dhe në Vlorë ndaj Flamurtarit. Mirel Josa, trajneri i Besës, tha se ishte një kualifikim i vështirë. “Ishte një fitore e vështirë, pasi donim që të vazhdonim garën në Kupë. Suksesi, normalisht që jep një farë besimi tjetër te lojtarët për vazhdimësinë. Duhet të rregullojmë shumë gjëra. Kupa është e vështirë. Kalendarin e kemi të vështirë, por do të shikojmë se si do të rikuperojmë forcat deri ditën e diel, ku për kampionat na pret një ndeshje shumë e vështirë në Peshkopi. Ju e shikoni se si po shkojnë gjërat në kampionat. Një ekip që nuk ka asnjë humbje është në vend të dytë, me pikë të barabarta. Do bëhet luftë e madhe. Varet nga soliditeti, kompaktësia që do të kenë skuadrat në të gjitha drejtimet, si në atë organizativ dhe në drejtimin tonë si trajnerë dhe futbollistë”, u shpreh trajneri Josa për “Panorama Sport”.

Italiani

Agostineli: Ndeshje me dy tablo, të ruajmë kreun në kampionat

Pas eliminimit nga Kupa, që duhet pranuar se nuk ishte parësore, Flamurtari është totalisht i fokusuar në vijim te kampionati. Andrea Agostineli, trajneri i Flamurtarit, mendon se skuadra e tij ishte e pa fat. Për “Panorama Sport”, Agostineli pas eliminimit u shpreh: “Ishte një ndeshje e ekuilibruar. Besa luajti më mirë në pjesën e parë, ndërsa ne sigurisht luajtëm më mirë në të dytën. Në të gjitha rastet, në pjesën e dytë ishim pak edhe pa fat. Tani rikthehemi në kampionat. Duam që të mbajmë vendin e parë, ku edhe jemi. Na duhet që të punojmë fort. Mendoj se jemi mirë, pasi në pjesën e dytë treguam edhe që ishim mirë fizikisht. Ekipi reagoi mjaft mirë. Vëmendjen tashmë do ta kemi te ndeshja që kemi brenda në shtëpi për kampionat dhe vazhdojmë që të ecim përpara”.

Luajtën ata që kërkoi Idrizi, por…

“Në ekip kemi edhe një grup të dytë lojtarësh, që janë rezervat. Unë nuk e kuptoj pse bëhen këto zgjedhje”. Ky ishte mesazhi që Sinan  Idrizi i dërgoi indirekt trajnerit Agostineli pas ndeshjes me Lushnjën. Trajneri italian ka gjetur rastin dhe disa nga ata që Idrizi kërkonte t’i shikonte në fushë i aktivizoi dje në Kupë, por përfundimi u pa qartë. Me atë që rezervat treguan në fushë, e drejta anon nga Agostineli që ka besuar kryesisht te një grup lojtarësh.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"