Besa ka harruar të fitojë, barazim me vlerë për Vorën. Goxhaj: Na ndëshkoi një çunak, që po mëson zanatin e arbitrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2024 | 11:01

Besa ka harruar të fitojë, barazim me vlerë për Vorën. Goxhaj: Na ndëshkoi një çunak, që po mëson zanatin e arbitrit

Besa  me dy barazimet e mara në dy javët e fundit ka lëshuar shumë terren me kreun. Shënon shpejt, por nuk di ta ruajë avantazhin. Besa në 180 minutave të fundit, duket sikur është tjetërsuar, pasi ka harruar të fitojnë.

GOXHAJ DUKE DALE ME BARREL

Pikët e lëna nga barazimi 0-0 në Shijak me Erzenin  dhe 1-1 të shtunën në Rrogozhinë ndaj Vorës, rival direkt për ngjitjen në Superiore, djegim shumë…

Ndeshja- Besa kaloi shpejt në avantazh, që në minutën e 12-të, ku Kanu shënoi një gol të bukur. Ai shfrytëzoi harkimin e Mazrekajt dhe me një gjuajtje fluturimthi nga 8-9 metra largësi kaloi kavajasit në avantazh. Pas këtij goli u mendua se fitorja do të ishte një formalitet dhe me një dominim të Besës në të gjitha drejtimet. . Por ky perceptim zgjati deri në 32-të, kur qendërmbrojtësi Goxhaj dëmtohet dhe doli me barelë nga fusha dhe në vend të tij hyn Kapo.

Pati mundësi për të dyfishuar me Oliverën dhe Nurjen, por pa rezultat. Besa pretendoi edhe për një 11- metërsh, kur sipas vendasve, një mbrojtës i Vorës e prekur topin me dorë brenda zonës. Gjyqtari jo vetëm që nuk akordon penallti, por as nuk u konsultua me VAR-in. Me gjithë dëshirën e Besës, nuk pati ndryshim në rezultat dhe pjesa e parë mbyllet në shifrat 1-0. Trajneri Bellai bën zëvendësim që në start të pjesës së dytë, ku Lika hyn në vend të Avdiut. Barazimi i Vorës vjen pas 3 minutash, ku në të 48-ën i zakonshmi Ruzgis  me golin e tij vendos ekuilibrin në fushë. Aksion model nga e djathta e Ismailit dhe harkimi i tij në qendër të zonës kavajase shfrytëzohet nga Ruzgis, i cili me një zgjatje këmbe shënon.

Miqtë nuk e ulin ritmin dhe shfaqen të rrezikshëm te porta kavajase. Loja ashpërsohet dhe dyluftimet ndonjëherë i kaluan limitet e luftës sportive. Vora e mbrojti deri në fund  barazimin edhe nga fakti, se Besa me minutat që kalonin humbi raste, por edhe freskinë fizike. Në këtë pjesë trajneri Josa bëri vetëm një zëvendësim, Dabo në vend të Oliverës, ndërsa Bellai e freskoi katër herë. Barazimi sigurisht kënaqi Vorën dhe i bën kavajasit të mbesin sërish një pikë pas Vorës. Besës, edhe pse nuk ka pësuar asnjë humbje, i duhet tjetër marsh në dy takimet e mbetura të fazës së parë.

BESA – VORA 1-1

GOLAT: Kanu 12’ / Ruzgis 48’

BESA: Mehidri, Frashri, Nurja, Abdulai, Goxhaj (Kapo 32’), Mëllugja, Spahiu, Stafa, Olivera (Dabo 79’), Spahiu, Mazrekaj; (Në dispozicion: Ahmetaj, Perja, Nkube, Deliu, Gjinaj, Ikaro, Ramilli, Mert). Trajner: Mirel Josa

VORA: Ruçi, Ismaili, Imami (Dalipi 72’), Shehi, Aneni,  Geci, Tabaku, Kasalla (Sefa 90+3’), Avdiu (Lika 46’), Bardhi(Ntepe 76’), Ruzgis; (Në dispozicion: Jata, Marinaj, Nikqi, Vrapi, Duka, Rushiti). Trajner: Arjan Bellaj

Kartona të verdhë: Mazrekaj 43’, Kapo 44’ / Geci 6’, Tabaku 45+2’, Avdiu 90’

Gjyqtarë: E.Bylykbashi (Elbasan), M.Shazivari (Tiranë), D. Memelli (Elbasan)/ O.Kuka, J.Xhaja (Tiranë)

Vëzhgues: Servet Bogdani (Durrës)

Delegat: Besnik Çela (Tiranë)

Kavajasit

Josa: Gjyqtari na mohoi një penallti

Mirel Josa, trajneri i Besës, Pas ndeshjes mes të tjerash u shpreh: “Pësimi i golit nuk erdhi si pasojë e ndonjë presioni nga Vora, por nga një rinisje e shpejtë e kundërshtarit. Duhet të bënim faull taktik ta ndalonim atë rast. Bëmë një pjesë të parë të mirë, shënuam dhe patëm rastin ta dyfishonim, por gjyqtari na mohoi një penallti të pastër. Nuk po flas për 11-metërshin e dytë, kur lojtari ynë u tërhoq nga fanella pasi isha larg, por do ta shoh edhe atë. Në fund të pjesës së parë, jam i bindur se ishte 11 metërsh. Ndoshta do kërkoja të kishte më shumë qetësi nga lojtarët e mi, kur ndodheshin në gjysmëfushën e miqve të organizoheshim më shpejt në manovrën sulmuese”.

Arian Bellai

“Përgëzoj çunat, dhanë shpirtin në fushë”

Barazimi i ka shkuar përshtat Vorës dhe pas ndeshjes trajneri Arian Bellai për “RTSH” deklaroi: “Komplimente çunave të mi se dhanë shpirtin në fushën e lojës, i patëm marrë masat për Mazrekajt, por ai është lojtar me kualitet dhe ai krijon ose shënon. U munduam ta mbyllnim që nga ai moment i vështirë. Pasi pësuam golin nuk u vendosëm në vështirësi, por e morëm në kontroll ne sfidën. Për këtë jam i kënaqur nga çunat, pasi nga minuta e 15-të deri në të 96-ën ishin të përqendruar, pavarësisht se u duk pak lodhja. Gjithsesi, të luash në derbi me një ekip si Besa, duhet të japësh maksimumin që të mos dalësh pa gjë, për këtë i përgëzoj”.

Lituanezi

Ruzgis: Ishim përgatitur për një ndeshje të fortë

Manfredas Ruzgis po rezulton një afrim i goditur nga Vora në merkaton e verës. Sulmuesi lituanez po tregohet vendimtar, pasi me golat e tij po e merr ekipin përdore drejt realizimit të objektivit madhor. Autori i goli të Vorës u shpreh i kënaqur me barazimin që morën ndaj rivalit direkt. “Mendoj se ishte një ndeshje shumë intensive ndaj një kundërshtari direkt. Si ekip ishim të përgatitur për këtë dhe bëmë një ndeshje të fortë e të mirë. Lidhur me objektivin e Vorës, nuk dua të flas tani, pasi vëmendja është përqendruar te takimi i radhës me Burrelin”, u shpreh sulmuesi lituanez i Vorës, Manfredas Ruzgis për “Panorama Sport”. Ruzgis ka shënuar 6 gola për Vorën në 9 javë kampionat.

Mbrojtësi

Goxhaj: Na ndëshkoi një çunak, që po mëson zanatin e arbitrit

Jurgen Goxhaj ishte i pafat ndaj Vorës, pasi dëmtimi që mori e detyroi të dalë nga fusha me barelë në minutën e 32-të. Dalja e tij la një gropë në prapavijë, ku në rolin e tij erdhi edhe goli i pësuar. “Është e turpshme, e pafalshme ajo që bëri gjyqtari kundër Besës. Ai kishte ardhur për të na ndëshkuar e për të mos na lejuar të fitonim. Nuk po flas për dhjetëra faulle të diskutueshme, as vonesat e lojës nga miqtë, por për dy dënime të rënda. Na mohoi një penallti të pastër, pas prekjes të topit me dorë në pjesën e parë.

Ai vijoi maskaradën duke na mohuar edhe një të dytë, kur sulmuesi ynë u tërhoq dukshëm nga fanella. Në futboll nuk shënohen 7 apo 10 gola, një bën diferencën. Ju siguroj se me penalltinë e pjesës së parë, Vora do pësonte goleadë. A nuk është fyerje që takimi Kastrioti-Flamurtari të drejtohet nga Enea Jorgji, ndërsa Besa-Vora nga një çunak që po mëson zanatin. Kjo i shpjegon të gjitha çfarë ndodhi”, u shpreh Goxhaj i mërzitur për gazetën pas ndeshjes. Sa i përket dëmtimit, pritet që Goxhaj të ekzaminimet e hollësishme, për të dalë më pas te shkalla e lëndimit, ku do të përcaktohet edhe koha e rikuperimit.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"