Besa kalon Tërbunin me drithërima. Josa: Edhe kështu, kualifikim i merituar. Bardhi: Më kënaqi loja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 12:34

Besa kalon Tërbunin me drithërima. Josa: Edhe kështu, kualifikim i merituar. Bardhi: Më kënaqi loja

Mos përfshirja e lojtarëve titullarë në formacion në turin e parë të Kupës, rezultoi si aventurë, po të shohësh rrjedhën që mori ndeshja e djeshme ndaj Tërbunit. Këta të fundit, asnjëherë nuk e përfillën inferioritetin e ligës ku luajnë.

besa me josen

Madje, miqtë e nisën më mirë lojën me dy raste me Troshanin dhe Ekezie. Gjithsesi, Besa rikthehet shpejt duke e zhvendosur manovrën sulmuese më shpejt përpara. Avantazhit fillestar nga Mert në minutën e 17të iu shtuan dhe dy gola nga Goxhaj në 32-ën dhe sërish Mert në të 44-ën. Pjesa e parë u mbyll 3-0 dhe kavajasit e konsideruan si të mbyllur kualifikimin, por kjo eufori për pak i mori “në qafë”.

Lojën e rihap Kaçubela për miqtë në 54-ën dhe në fakt ndërrimet e miqve i dhanë më shumë agresivitet lojës së tyre. Besa shënoi në të 69-ën me Aleksandre, por Kaçubela e Gjinaj e ngushtuan sërish rezultatin në 3-4. Besa goditi edhe një herë shtyllën, ndërsa Ibrahimi me portën e boshatisur nuk shënoi. Përgjithësisht se fitorja e Besës nuk u vu në diskutim, por euforia e panevojshme e vendasve bëri që miqtë nga Puka të zotëronin më shumë hapësirat dhe kontrollin e topit, duke treguar në episode të ndryshme një lojë të bukur.

BESA – TËRBUNI 4-3

GOLAT: Mert 17’, 44’, Goxhaj 32’, Aleksandre 69’ / Kacubela 54’, 79’, Gjini 84’

BESA: Ahmetaj, Gjergji, Goxhaj, Ramilli, Fejzo, Deliu, Puqja (Zeqiraj 55’), Gjinaj (Shpuza 47), Aleksandre (Stafa 77’), Meçja, Mert (Ibrahimi 55’); (Në dispozicion: Mehidri, Kapo, Abdulai, Spahiu, Nurja). Trajner: Mirel Josa

TËRBUNI: Tafa, Bacina, Alillari (Gjini 46’), Temja, Laceja, Zëre, Leka (Longa 46’), Damen (Vincent 70’), Salami, Ekezie (Arbana 46’), Troshani (Kacubela 46’);(Në dispozicion: Angjelovski, Bizi). Trajner: Sinan Bardhi

Kartonë të verdhë: Goxhaj 89’, Gjergji 90’ / Salami 80’

Gjyqtarë: E.Spahiu, B.Mesi, E.Xhaferraj(Tiranë)

Vëzhgues: Klajdi Kola (Tiranë)

Delegat: Bujar Pregja (Tiranë)

Josa: Kualifikim i merituar

Mirel Josa, trajneri i Besës, e quajti të merituar kualifikimin në Kupë dhe pas ndeshjes për “Panorama Sport u shpreh:U dhamë besim disa lojtarëve, të cilët kishin pak minuta në këmbë, madje përdorëm edhe disa të rinj debutues. Thjesht habitem se si pas rezultatit të pjesës së parë, disa nga lojtarët e quajtën ndeshjen të mbyllur para kohe. Kjo për pak na kushtoi, por kualifikimi ynë edhe kështu qe më se i merituar”.

Bardhi: Më kënaqi loja

Kupa nuk është në planet e skuadrës pukjane, por Tërbuni u tregua dinjitoz ndaj Besës. Sinan Bardhi, trajneri i Tërbunit, pas ndeshjes u shpreh:Të them se kishim ardhur për t’u kualifikuar, do gënjeja veten, edhe pse rrjedha e lojës më së paku mund të na çonte deri te koha shtesë. Megjithatë, jam sa i gëzuar po aq edhe i kënaqur për lojën e bukur që zhvilluam ndaj një skuadre të fortë si Besa, që kryeson me meritë në Kategorinë e Parë”.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"