Besa-Kastrioti, sot ora 16:00/ Josa: Nuk ka fitore pa sakrifikuar në fushë. Bubeqi kërkon pikë ndaj të shkuarës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 11:33

Besa-Kastrioti, sot ora 16:00/ Josa: Nuk ka fitore pa sakrifikuar në fushë. Bubeqi kërkon pikë ndaj të shkuarës

Besa vjen pas 3 fitoresh në një start fantastik të këtij sezoni. Përballë do të ketë sot Kastriotin, i cili ka fituar në takimin e fundit me përmbysje ndaj Lushnjës. Takimi do të luhet në stadiumnin e Rrogozhinës.   Në pankinën krutanë është ish-trajneri i Besës, kavajasi Dorjan Bubeqi e po ashtu edhe sulmuesi kavajas Hoxha.

besa stervitje me Josen

Por, duhet cituar fakti se ekipi që Bubeqi drejtoi sezonin e shkuar e që e mbajti në të Parën, nuk ka asgjë  të përbashkët me grupin që drejton Mirel Josa. Kjo është një Besë tërësisht e re dhe vetëm Spahiu e Nurja mbijetuan në formacion nga Besa e vjetshme. Përtej këtyre, trajneri Mirel Josa i ka të qarta idetë, qëkurse mori drejtimin e Besës. Mëse një herë ai ka preferuar të shohë ndeshje pas ndeshjes dhe këtë ka bërë edhe ndaj Kastriotit. “Asnjë sfidë nuk fitohet në letër qoftë edhe me ekip amator. Përballjet dhe fitoret vijnë vetëm nëse ti si grup sakrifikon në fushë për fitoren. Më gëzon fakti se lojtarët janë me këmbë në tokë dhe të vetëdijshëm në atë çfarë kërkon trajneri. Në çdo ekip mund të gjesh fragmente jo të mira loje, por themelore mbetet mënyra se si grupi reagon”, u shpreh fillimisht Josa.

Ndaj krutanëve, verdhezinjtë synojnë vetëm fitoren, pasi pas kësaj përballje Besa do të ketë dy transferta të vështira, fillimisht në Lushnjë e pastaj në Fier. Për Mirel Josën, ai mendon vetëm përballjen ndaj krutanëve. “Kur nuk kam bërë llogari pikësh, por jam përqendruar e punuar vetëm për takimin e radhës. Kështu kemi punuar për të bërë më të mirën kundër Kastriotit. Krutanët kanë në përbërje lojtarë me përvojë në Kategorinë e Parë dhe do të duhet të japim maksimumin secili për ta fituar ndeshjen. Objektivi ynë në çdo takim mbetet fitorja, pastaj mbetet në atë çfarë lojtarët japin në fushë. Besoj fort se i kemi mundësitë, përbërjen dhe angazhimin për të dalë të fituar edhe ndaj Kastriotit”, përfundoi Josa për “Panorama Sport”.

Trajneri i Kastriotit, Bubeqi: Të mos dalim pa pikë

Kastrioti i Krujës, pas fitores përballë Lushnjës në Fushë Krujë, ka arkivuar deri tani katër pikë. Krutanët po përgatiten ndërkohë për një tjetër “betejë” me kavajasit e Besës që kryesojnë kampionatin me nëntë pikë në këto tre javë të para.

Trajneri Dorjan Bubeqi nuk e ka ndalur punën në krye të të tijve edhe të dielën. Në lidhje me këtë transfertë të vështirë, ai thotë: “Kemi vijuar normalisht përgatitjet përgjatë këtyre ditëve për këtë sfidë. Ndërkohë, kemi analizuar edhe ndeshjen ndaj Lushnjës, ku u vunë re disa gabime, të cilat nuk duhet të përsëriten ndaj Besës. Jemi të vetëdijshëm se ky takim do të jetë i vështirë ndaj një ekipi si Besa. Por, edhe Kastrioti do të hyjë në fushë për të shpalosur vlerat e veta. Objektivi ynë është të mos dalim pa pikë nga kjo ndeshje”. Mësohet ndërkohë se një mungesë e sigurt është ajo e brazilianit Mauricio që është i dëmtuar.

FERIZ FERIZAJ/ SHKQLQIM HASANI  – PANORAMASPORT.AL            

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"