Besa “lufton” në dy fronte, Goxha: Ia dalim në Vlorë, kualifikimi në Kupë më se i mundshëm
Besa gjen sërish Flamurtarin, por kësaj radhe në Kupë. Kavajasit u ndeshën në kampionat në fundin e fazës së parë me Flamurtarin, një sfidë që u mbyll me rrjeta të pa prekura. Kjo përballje ishte e barabartë, por verdhezinjtë ishin më afër fitores.
Për mbrojtësin Jurgen Goxha, që tashmë ndihet i rikuperuar plotësisht pas dëmtimit, do të jetë një përballje e vështirë, ku të dy ekipet kanë të njëjtin synim, kualifikimin. “Tashmë e njohim mirë Flamurtarin, ashtu siç edhe vlonjatët na njohin ne. Në duelin e kampionatit dëshmuam se i kemi të gjitha mundësitë e shanset për të kërkuar kualifikimin brenda në Vlorë. Natyrisht që të njëjtin objektiv kanë edhe vlonjatët, ndaj gjykoj se do të jetë më shumë ndeshje e shfrytëzimit të gabimeve e jo dominimit. E shikoj të vështirë që një ekip të dominojmë takimin, pasi duhet pranuar se të dy skuadrat kanë në organikë futbollistë me përvojë dhe që do kërkojnë administrimin e situatave në favor të tyre”, u shpreh fillimisht Goxha.
Pas Kupës, të dielën Besa do të udhëtojë drejt Peshkopisë ku do të luajë javën e 13-të të kampionatit, ku verdhezinjtë janë 1 pikë larg Flamurtarit. Gjithsesi, kavajasit nuk i pengon kjo gjë dhe ata kërkojnë të luftojnë në të dyja frontet. Për Goxhën vetëm fusha do ta vendosë fatin e tyre. “Le t’ia lemë gjithçka fushës së lojës, pasi ne do të kërkojmë të fitojmë. Pastaj, në një 90-minutësh çfarë nuk ndodh. Uroj që të jemi ne ata që gabojmë më pak dhe duhet të tregohemi cinikë në rastet që do të krijojmë. Nëse ia arrijmë të kualifikohemi, do të jetë mirë për ne”, përfundoi Goxha.
6 trofe të Kupës së Shqipërisë do të zbresin sot në stadiumin e Vlorës. Flamurtari e ka fituar 4 herë Kupën e Shqipërisë (1985, 1988, 2009, 2014), ndërsa Besa ka dy trofe në këtë kompeticion (2007, 2010).
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"