Besa “makineri” fituese, përmbys Apoloninë në fund. Goxhaj: Ngjitemi me mund, jo si disa me laps e letër
Apolonia pëson humbjen e tretë radhazi, këtë herë nga Besa, kryesuese e kampionatit. Në stadiumin “Loni Papuçiu”, kavajasit kanë hipotekuar një fitore karakteri duke përmbysur gjithçka, nga 1-0 në 1-2 dhe marrë tri pikë në një transfertë të vështirë.
Ky sukses ka ardhur në frymën e fundit, falë eksperiencës së Jurgen Goxhajt. Me këtë fitore Besa kryeson e vetme të Parën me 16 pikë, me vetëm 1 gol të pësuar. Kavajasit, nën drejtimin e Josës nuk kanë të ndalur dhe po marshojnë drejt objektivit madhor, rikthimit në Superiore.
PJESA E PARË – Takimi nisi qetë dhe loja ishte e ekuilibruar për minuta me radhë. Fillimisht u vu re një Apoloni që luante fort për topin e parë. Trajneri i ri, Pajaziti, kishte përgatitur “kafaz” me markim të dyfishtë për Mazrekajn. Në minutën e tetë Besa rrezikon me Frashërin, teksa katër minuta më vonë provon Umejiego në hyrje të zonës, por Mehidri pret në dy kohë. Fierakët marrin një dhuratë në minutën e 17-të. Portieri Mehidri e tepron me mbajtjen e topit në zonë dhe përfiton Topi, që e rrëmben dhe me portën e boshatisur e ka lojë fëmijësh shënimin e golit. Pas kësaj goditjeje, Besa vihet menjëherë në kërkim të golit të barazimit dhe rrezikon më shumë nga krahu i djathtë, me sulmuesin shtatshkurtër, Ermir Spahiu. Në minutën e 24-t, diagonalja e tij kalon ngjitur me shtyllën. Pesë minuta më vonë, protagonisti mbetet i njëjtë. “Shpërthimi” i Spahiut detyron portierin Bushi të dalë në mënyrë të gabuar dhe njëherazi të shkaktojë 11-metërsh. Ky vendim ka ardhur pak sekonda me vonesë nga kryesori Myrtja, i cili ka pritur konfirmimin e anësorit Mani. Ekzekutimin e 11-metërshit e merr përsipër Mazrekaj, i cili nuk gabon dhe rezultati barazohet në 1-1. Në minutën e 44-t Besa është pranë golit të dytë. Mazrekaj kroson bukur nga e djathta për Kanu, që gjuan me kokë, por gjen përgjigjen e portierit.
PJESA E DYTË – Besa thekson dominimin, ndërsa fierakët nisin të mbyllen mbrapa, ndonëse trajneri kërkon qasje tjetër. Vizita e parë e kavajasve në këtë pjesë të dytë vjen pas 10 minutave me Kanu, që godet, por ndalet nga Kaçaj. Më pas vjen një gjuajtje e Oliveirës mbi traversë. Miqtë krijojnë rrisin rrezikshmërinë, por momenti i golit mungon. Kur “bunkeri” i Apolonisë u duk se e bëri punën e vet, vjen goli i përmbysjes në shtesë, me autor Jurgen Goxhajn. Aksion i rrjedhshëm me protagonistë Nurja-Spahiu, që gjejnë Goxhajn në zonë, i cili i kthyer në një sulmues në çastet e fundit, gjuan saktë me të djathtën dhe vulos përmbysjen, për t’i hapur rrugën një festë të çmendur. Miqtë festojnë, ndërsa vendasit protestojnë te kryesori Myrtja. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të ashpër ndaj Trifonit, në momentin që Nurja nisi aksionin. Nuk është i këtij mendimi kryesori Myrtja, ndaj loja rinis dhe ligjëron festën e Besës, që mbetet thuajse perfekte në këtë sezon të së Parës dhe kryeson renditjen me 16 pikë pas 6 ndeshjesh. Apolonia është e dhjeta, me vetëm 4 pikë.
APOLONIA-BESA 1-2
GOLAT: Topi 17’/ Mazrekaj 30’ (11-m), Goxhaj 90+1’
APOLONIA: Bushi (Kaçaj 46’), Hebeja, Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Jasin (Bejzade 60’), Musa (Rakipaj 44’), Topi (Rajmond 60’), Trifoni, Maksuti, Umejiego; (Në dispozicion: Bega, Kananaj, O.Repaj); Trajner: Sedat Pajaziti;
BESA: Mehidri, Frashëri, Abdulai, Goxhaj, Nurja, Mëllugja, Stafa (Dabo 78’), Oliveira (Gjinaj 62’), Mazrekaj (Aleksandre 78’), Spahiu, Kanu; (Në dispozicion: Ahmetaj, Perja, Kapo, Nkube, Ibrahimi, Ramilli, Meçja); Trajner: Mirel Josa;
Kartonë të verdhë: Kofi 75’, Bejzade 82’, O. Repaj 87’/ Rubenilson 82’, Goxhaj 90+2’
Gjyqtarë: I.Myrtja (Shkodër), Xh.Mani (Tiranë), A.Çobaj (Shkodër)
Vëzhgues: Agim Guçe (Lushnjë)
Delegat: Genc Misha (Tiranë)
“Heroi” i kavajasve
Goxhaj: Ngjitemi me mund, jo si disa me laps e letër
Jurgen Goxhaj ishte heroi i transfertës së Fierit në fitoren 1-2 kundër Apolonisë. Mbrojtësi arriti të shënojë në minutat shtesë rrjetën e përmbysjes dhe të tri pikëve, si të ishte një sulmues “race”. Pas ndeshjes ai foli për “Panorama Sport”, ku premtoi Superioren dhe thumboi rivalët. “Të jem i sinqertë, është fitore me aromë Superioreje. Ne jemi krijuar për t’u ngjitur në elitë, ndaj mendoj dhe besoj se në fund do të jemi ekipi kampion. Luftuam shumë, besuam deri në fund për golin e përmbysjes dhe ia arritëm në frymën e fundit. Ndihem shumë i lumtur për golin dhe akoma më i lumtur që pati vlerën e tri pikëve. Ky gol është dedikim për mbesën time, që pikërisht sot (të shtunën) feston 3-vjetorin e lindjes. Superioren do ta arrijmë me mund dhe me djersë, jo si disa ekipe që po fitojnë me laps e letër”, u shpreh Goxhaj.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"