Besa mund Lushnjën me vuajtje. Josa: E kishim parashikuar të vështirë, e fortë deri në fund. Xhafa: Meritonim më shumë sesa humbja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2024 | 19:28

Besa mund Lushnjën me vuajtje. Josa: E kishim parashikuar të vështirë, e fortë deri në fund. Xhafa: Meritonim më shumë sesa humbja

Besa mori një fitore të vështirë ndaj Lushnjës, në shifrat 1-0. Përtej dominimit, ku goditën 4 herë shtyllat, u desh penalltia e realizuar nga Kanu në shtesë, që Besa të merrte 3 pikë “të arta” për momentin. Kavajasit edhe në këtë takim shpërdoruan mjaft duke pasur edhe fatin kundër, ku ishte edhe penalltia e humbur nga Mazrekaj në pjesën e parë.

besa feston golin e Kanu ndaj Lushnjes

Me këtë fitore Besa nuk i largohet Vorës, por është e vetme në vend të dytë me 2 pikë më shumë se Flamurtari i vendit të tretë.

NDESHJA- Takimi nisi me një gjuajtje të Tabakut për miqtë. Kavajasit marrin frenat e lojës dhe Kanu në të 4-ën, e më tej Kapo e Stafa  tentojnë golin, por godasin keq. Në të 30-ën, Mazrekaj harkon në zonë dhe topi ka kontakt me dorën e Hidës dhe rasti kalon në verifikim. Minuta 33 sjell gëzim te vendasit, pasi gjyqtari Cjapi akordon penallti për Besës, pas verifikimit të rastit me VAR. Mazrekaj ka shënuar më parë 4 penallti për Besën, por gabon të pestën, pasi topi i goditur prej tij ndalet në shtyllën pingule dhe del jashtë. Pas këtij rasti janë disa minuta të mira për Lushnjën, por pa rrezik.

Pjesa e parë mbyllet me gjuajtjen e Spahiut, që u ndal nga trau i portës. Ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-0. Pjesa e dytë nis “zjarr”, kur Mëllugja ngjitur me portierin nuk përfiton. Provojnë edhe miqtë me Kacanollin nga distanca, por jashtë. Besa është e tëra para në kërkim të golit, por Oliveira shpërdoron. Me anë të kundërsulmit, në minutën 58-të Mehidri ndal gjuajtjen me kokë të Kaçanollit dhe shpëton portën kavajase.  Besa reagon direkt, por sërish e pafat, pasi në të 59-ën shtylla ndal gjuajtjen e Oliveirës. Miqtë mundohen të rrezikojnë, por portieri Mehidri “fluturon” mbi kokën e Kacanollit duke i hequr mundësinë e gjuajtjes.

Befason trajneri Xhafa, teksa në minutat e fundit fut në lojë dy sulmues, Cankën e Xhabrahimin duke e bërë kështu Lushnjën me 4 sulmues. Në të 87-ën, Xhabrahimi “i vidhet” mbrojtjes së Besës dhe shënon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Në të 90-ën sërish traversa i vjen në ndihmë miqve duke i mohuar golin Besës. Por në minutën e dytë shtesë akordohet penallti për Besën, pas faullit të shkaktuar nga Magani. Këtë herë nga pika e bardhë gjuan Kanu, që në të 93-ën kalon Besën në avantazh dhe gjithçka mbyllet me fitoren e vështirë të verdhezinjve.

BESA – LUSHNJA 1-0

GOLI: Kanu 90+3’ (11-m)

BESA: Mehidri, Kapo, Abdulai, Goxha, Nurja, Stafa, Mëllugja, Oliveira (Aleksandre 87’), Spahiu (Dabo 81’), Kanu, Mazrekaj; (Në dispozicion: Ahmetaj, Kikonda, Perja, Ramilli, Ibrahimi, Gjinaj). Trajner: Mirel Josa

LUSHNJA: Alimuça, Magani, Hida, Koreshi, Deliaj, Tabaku (Xhabrahimi 86’), Joti, Xherrison (Olola 70’), Uilfried, Kamisoko (Canka 82’), Kaçanolli; (Në dispozicion: Haremi, Disha, Muça, Xhemalaj, Jonuzi, Hysa, Mikael). Trajner: Erion Xhafa

Kartonë të verdhë: R.Bizhdili 32’, Mëllugja 37’, Mazrekaj 69’, Spahiu 81’, Goxhaj 90+4’, Ahmetaj 90+5’ / Magani 14’, Xherrison 70’, Tabaku 76’, Deliaj 87’

Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartari (Fier), F. Kolleshi (Tiranë)/ VAR: O.Kuka (Tiranë), O.Ferataj (Patos)

Vëzhgues: Emirion Sino (Fier)

Delegat: Alban Tafaj (Tiranë)

Kavajasit

Josa: E kishim parashikuar të vështirë, e fortë deri në fund

Tjetër fitore e vuajtur, por me shumë vlera për Besën e drejtuar nga trajneri Mirel Josa. Edhe pse i mëshohet çdo javë minimizimit të rasteve të shpërdoruara, kavajasit vijojnë me shënjestër të gabuar. Pas fitores dramatike me Lushnjën, trajneri i Besës, Mirel Josa, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ishte ndeshje e vështirë, ashtu siç e kishim parashikuar. Ekipi luajti mjaft mirë dhe tregoi qetësi dhe maturi. E kërkuam golin në disa mënyra, por jo përherë çdo rast mund ta shënosh. Patëm 2 traversa dhe 2 shtylla pingule dhe në fund shënuam. Falë kësaj loje edhe miqtë na rrezikuan në atë rast me kokë, që Mehidri e zgjidhi mrekullisht. Do të jenë të gjitha ndeshjet kështu, të forta dhe kërkohet besim, durim dhe shpirt. Do të vijojmë të shohim nga sfidën e radhës që gjithashtu do të jetë e fortë njësoj”.

 

Lushnjarët

Xhafa: Meritonim më shumë sesa humbja

Lushnjarët ishin përgatitur që të mos dilnin pa pikë nga transferta me Besën dhe për pak sa nuk ia dolën, por në shtesë u ndëshkuan me një penallti. Sipas trajnerit Erion Xhafa, takimi ishte i barabartë dhe në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport” ai pohoi se Lushnja nuk e meritonte humbjen. “Ishte një ndeshje e fortë e barabartë. Në përgjithësi jam i kënaqur nga angazhimi i ekipit tim. Ne patëm rastet tona, ashtu si Besa. Në minutat e fundit aktivizova edhe 2 sulmues të tjerë, pra u bënë katër në fushë, pasi donim ta fitonim takimin. Luajtëm ndaj një Bese kryesuese dhe u ndëshkuam në fund. Meritonim më shumë se sa humbja për atë çfarë dhamë në fushën e lojës”, u shpreh trajneri Xhafa. Lushnjarët kanë pretendimet e tyre për gjykimin, që dha dy penallti për Besën dhe u anuloi një gol.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"