Besa mund Luzin në miqësore, firmos për 5 vite portieri i kombëtares së Kongo U-21

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2024 | 0:29

Besa mund Luzin në miqësore, firmos për 5 vite portieri i kombëtares së Kongo U-21

Merkato e Besës nuk ka të mbyllur, pasi drejtuesit e klubit kavajas kanë zyrtarizuar në fushën e lojës edhe afrimin 16-të. Kavajasit nuk kanë të ndaluar në merkato, ku pas afrimeve të një sulmuesi dhe 2 mesfushorëve, së fundmi është forcuar edhe porta.

besa luzi

Pas Mehidrit e Ahmetit, një tjetër portier i shtohet Besës. Bëhet fjalë për 20-vjeçarin Dorant Maillon Sayra Makoundou nga Kongo. Ai është portier i Kongo U-21 dhe bëhet fjalë për një “gardian” shtatlartë, 205 cm, i cili ka firmosur për 5 vite me ekipin kavajas. Kongolezi debutimin e bërë në fundjavën e shkuar në miqësoren që Besa luajti në Luz.

MIQËSORJA – Në prag të transfertës së vështirë me Pogradecin, kavajasit kanë preferuar Luzin 2008 për të korrigjuar ndonjë dobësi të shfaqur në takimin e fundit ndaj Korabit. Trajneri Josa aktivizoi që në start formacionin më të mirë, ndërkohë që Luzi 2008, që këtë sezon militon në Kategorinë e Dytë, është ende në fazë kolaudimi pas largimeve. Luznjakët luajtën me lojtarë të rinj, madje huazuan dhe 2 lojtarë nga Besa, si Meçja  e Morina, por vetëm për këtë miqësore.

Misioni i kësaj sfide për Besën kishte në plan të dytë rezultatin, gjë që u dëshmua edhe me barazimin pa gola të pjesës së parë. Në pjesën e dytë kavajasit arritën të gjenin 3 gola. Sulmuesi Kanu ia doli të shënojë të parin me kokë në minutën e 52-të të takimit. Më pas, radha ishte e sulmuesit të ri Erduan Ibrahimi, që shënoi dopietë brenda 2 minutave.

Ai fillimisht merr një inkursion rreth 40 metra e brenda zonës godet dhe shënon. Vetëm 1 minutë më vonë, lëshon një goditje diagonale në hyrje të zonës duke trefishuar shifrat. Një sinjal pozitiv ky për trajnerin Josa, pasi zhbllokohen dy nga sulmuesit e afruar në merkato. Luzi me lojtarë të rinj edhe pas ndërrimeve të kryera, arriti të shënonte një gol me anë të Teqjas në minutën e 78-të. Me fitoren 3-1 të Besës u mbyll miqësorja, një test i vlefshëm për të dy trajnerët.

LUZI 2008 – BESA 1-3

GOLAT: Teqja 78’ / Kanu 52’, Ibrahimi 72’, 73’

 

LUZI 2008: Mati, Bali, Xhika, Hidri, Goga, Osma, Jakupi, Laho, Balla, Çeliku, Topalli; (U aktivizuan: Ruçaj, Lonkart, Teqja, Pjetri, Zeneli, Meçja, Morina). Trajner: Lorenc Pashja

 

BESA: Mehidri, Frashri, Nurja, Abdullai, Goxhaj, Olivera, Stafa, Mëllugja, Mazrekaj, Mert, Spahiu;(U aktivizuan: Makoundou, Kanu, Kapo, Nkube, Ramilli, Perja, Deliu, Zeqiraj, Maxhuni). Trajner: Mirel Josa

 

Gjyqtarë: S.Kazazi, D.Kasa, A.Kazazi (Kavajë)

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"