Besa nuk njeh fushë e rival, 3 gola për tri pikë në Burrel. Josa: E dinim rëndësinë e takimit. Bicaj: Kthehemi më të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2024 | 12:29

Besa nuk njeh fushë e rival, 3 gola për tri pikë në Burrel. Josa: E dinim rëndësinë e takimit. Bicaj: Kthehemi më të fortë

Besa nuk njeh kundërshtar dhe fushë. Kavajasit luajtën si pritës ndaj Burrelit në “Liri Ballabani”, pasi fusha e stadiumit të Rrogozhinës, që është shtëpia e Besës për këtë sezon, i është nënshtruar mbjelljes së barit. Por ky ndryshim nuk e ka kushtëzuar skuadrën e Josës që shënoi 3 gola për tri pikë dhe vazhdon të kryesojë i vetëm me 19 pikë. 

burreli besa

Mbrojtësi Goxha, që hapi serinë e golave, la kavajasit me 10 lojtarë në fundin e pjesës së parë. Burreli ka zhgënjyer kësaj radhe në shtëpi, duke mos e siguruar vazhdimësinë e rezultateve.

NDESHJA- Takimi nisi i qetë në minutat e para dhe rasti i parë solli golin për Besën. Minuta 7, Mazrekaj hedh një top në zonë dhe Goxhaj përfiton, duke mposhtur portierin Dani. Burreli nuk tërhiqet edhe pas golit. Farruku gjuan nga distanca, por topi përfundon mbi traun e portës. Besa tenton të gjejnë golin e sigurisë, por mbrojtja matjane nuk lejojnë. Minuta 35, shifrat ndryshojnë sërish dhe janë miqtë nga Kavaja që shënojnë pas një mori rastesh të shpërdoruara. Kanu përfiton nga një gabim i mbrojtjes së Burrelit dhe pas asistit të Mazrekaj gjendet i lirë përballë portierit Dani dhe shënon, 2-0 për Besën.

Pas golit të dytë kavajasit e ulin ritmin e lojës dhe Burreli shtyn përpara për të ngushtuar diferencën, por nuk ia dalin. Ende pa u akorduar minutat shtesë të pjesës së parë, një ndërhyrje e gabuar e mbrojtësit Goxha në drejtim të futbollistit Farruku dhe kryesori Hamiti i drejton direkt kartonin e kuq mbrojtësit të Besës, që kthehet nga hero në djall. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e dyfishtë të kavajasve. Fraksioni i dytë solli shumë ndryshime te të dyja skuadrat. Si Besa dhe Burreli kryejnë nga 5 ndërrime secila, por rastet në këtë pjesë do të ishin me pikatore. Disa inkursione nga lojtarët e të dyja skuadrave, por pa sjellë asnjë ndryshim për një pjesë të mirë të ndeshjes.

Vetëm 7 minuta nga fundi i kohës së rregullt, është Gjinaj, i futur në pjesën e dytë, i cili lëshoi një “predhë” nga distanca, pas topit të kthyer nga mbrojtja Burrelit dhe “sfera” shkon në rrjetë. 3-0 për Besën. Minutat e mbetura administrohen mirë nga verdhezinjtë, duke mos pas më histori ky takim. Besa fiton dhe takimin e javës së 7-të përballë Burrelit, duke ruajtur me fanatizëm kryesimin e Kategorisë së Parë, ndërsa Burreli ka luhatje nga java në javë. Pas kësaj ndeshje vjen ndërprerja e kampionatit për shkak të angazhimeve të kombëtareve dhe të dy trajnerët mund ta shfrytëzojnë kohën për riparimet e gabimeve të shfaqura.

BESA- BURRELI 0-3

 

GOLAT: Goxha 7′, Kanu 35′, Gjinaj 83′

Besa: Mehidri, Frashëri, Abdulai, Goxha, Nurja, Oliveira(Gjinaj 62′), Mëllugja, Stafa (Ncube 89′), Mazrekaj (Ikaro 76′), Kanu(Ibrahimi 62′), Spahiu (Kapo 46′). Trajner: Mirel Josa

Burreli: Dani, Fetaj, Muriel, Shkalla, Zhunior, Osikel  (Paloka 60′), Musolli (Hoti 46′), Arango (Rrapi 60′), Xhakaj (Murra 76′), Dushkaj, Farruku (Sina 76′). Trajner: Ditmar Bicaj

Kartonë të verdhë:Spahiu 33′, Stafa 42′, Mehidri 88′, Ibrahimi 90 / Zhunior 45+3′, Sina 87′, Murra 90+4′

Karton i kuq: Goxha 45’

Gjyqtarë:Eldorjan Hamiti,Elvis Gjoka,Krist Zefej(Lezhë),Xhulian Bacaj(Laç) Vëzhgues:K astriot Xhaferaj(Tiranë)

Delegat:Besnik Çela(Tiranë)

Trajneri i Besës

Josa: E dinim rëndësinë e takimit dhe objektivin tonë në çdo sfidë

Besa ka bërë detyrat edhe në javën e shtatë, ku mundën Burrelin në transfertë me rezultat të pastër, 3-0. Mirel Josa, trajneri i Besës, pas suksesit të radhës, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ne si ekip kemi objektiv që në çdo ndeshje të marrim tri pikë. E dinim rëndësinë e kësaj sfide, për vet faktin se Burreli u ka hapur shumë punë skuadrave me të cilat është përballur. Kemi krijuar një grup me lojtarë kualitativ dhe deri tani gjërat po ecin mirë. Na forcon shumë edhe mbështetja që kemi nga drejtuesit e klubit”.  Ndërsa për sa i përket formacionit ku bie ne sy që në 7-të javë kampionat është i njëjti formacion, trajneri kryeqytetas deklaroi: “Nuk ka të bëj fare pjesa e gjendjes fizike te lojtarët. Ne kemi krijuar një ekip, ku secili prej futbollistëve që aktivizohet të jap maksimumin në çdo moment dhe kur të ketë nevojë skuadra”.

Bicaj: Kthehemi më të fortë

Trajneri i Burrelit, Ditmar Bicaj, pas humbjes në shtëpi me kavajasit, për “Panorama Sport” u shpreh: “U munduam të bënim diçka ndryshe dhe pse e dinim çfarë skuadre kishim përballë. Djemtë u munduan të bënin detyrat që ju kisha dhënë përgjatë gjithë javës, por ekipi kundërshtar lexoi lojën tonë duke na goditur në kundërsulm. Burreli kthehet më i fortë për të arritur objektivin që drejtuesit na kanë vënë”.

Pikantet 

Pjesa e dytë nisi me 9 minuta vonesë, delegati bllokon kamerat

– Dy trajnerët, Mirel Josa dhe Ditamar Bicaj, e kanë ndjekur takimin gjatë gjithë kohës në këmbë, duke udhëzuar lojtarët e tyre.

– Në tribunën VIP të stadiumit “Liri Ballabani” kanë qenë edhe dy presidentët, Nexhat Bizhdili dhe Agron Malaj, së bashku me pjesëtarë të stafeve të dy ekipeve.

– Pjesa e dytë nisi me 9 minuta vonesë për shkak të mungesës së autoambulancës. Delegati Besnik Çela dhe kryesori Eldorjan Hamiti nuk lejuan të niste takimi pa praninë e saj.

– Ajo çfarë u vu re në stadiumin “Liri Ballabani” ishte dhe rreptësia në kontrollin përgjatë hyrjes në tribuna, ndërsa me urdhër nga delegati Besnik Çela kjo ndeshje nuk u lejua të filmohej. Madje, nuk u lejua as faqja zyrtare e Bashkisë Mat, e cila filmoi vetëm daljen e skuadrave në fushë.

FATOS LAMAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"