Besa pret Pogradecin, por kavajasit me “sy e veshë” nga Vora-Flamurtari
Ndryshe nga faza e parë, duket se Besa është ekipi më i favorizuar për sa i përket kalendarit në këtë periudhë. Të hënën, kavajasit do të presin Pogradecin në “Arena Egnatia” dhe në javët e mbetura të fazës së dytë gjithashtu do të presin edhe Burrelin, Lushnjën, Apoloninë, Erzenin e Kukësin. Kështu që i mbetet vetëm Vora, Kastrioti e Flamurtari në transfertë.
Më se njëherë, trajneri Mirel Josa dhe futbollistët janë deklaruar se kalendari i vërtetë i besës varet nga loja që do të zhvillojë Besa. Gjithashtu presin edhe ndonjë frenim të rivalëve, ku shpresuar që nga kjo javë ku Vora e Flamurtari përplasen mes tyre. Teksa përgatiten për takimin me Pogradecin, verdhezinjtë padyshim që do ta jenë “sy e veshë” edhe në Vorë, aty ku do të përballen dy rivalët e tyre. Vorakët nuk do ta kenë aspak të lehtë si ndaj Erzenit e Korabit, apo edhe ndaj ekipeve të tjera.
Një barazim mes Vorës e Flamurtarit dhe fitorja e pritur e Besës ndaj Pogradecit, do t’i katapultonte verdhezinjtë në vendin e parë. Një kryesim që vështirë t’i rrëmbehej deri të paktën në sfidën direkt në Vorë. Pavarësisht se nga stafi verdhezi këmbëngulin, kur pyeten mbi sfidën në Vorë, ata deklarojnë se shohin vetëm punën e tyre dhe se pikët në rast barazimi “flasin” në favor të Besës.
Kujtojmë se Besa pas Pogradecit udhëton në Fushë Krujë për të sfiduar Kastriotin dhe në rast fitore edhe atje, atëherë kavajasit do ta kenë më të lehtë kryesimin. Të gjitha këto janë hamendësime, por fakt është se Besë ka grupin, mbështetjen financiare si kurrë më parë, si dhe treguesit teknikë të renditjes legjitimojnë këtë gjë.
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"