Besa vuan me Kukësin, Goxha sërish shpëtimtar. Kuli: Dominuam lojën, verilindorët u mbrojtën fort. Allamani: U ndëshkuam në sekondën e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2025 | 20:37

Besa vuan me Kukësin, Goxha sërish shpëtimtar. Kuli: Dominuam lojën, verilindorët u mbrojtën fort. Allamani: U ndëshkuam në sekondën e fundit

Besa ka fituar ndaj Kukësit me një gol të shënuar në minutën e fundit. Kavajasit kanë treguar se ndaj ekipeve të ashtuquajtura të vogla kanë vështirësi. Skuadra e Çelës ka dominuar në “Arena e Demave” në kryeqytet, ku luhej pa tifozë, por nuk di të shënojë, duke shpërdoruar shumë raste.

BESA KUKESI

Golin me vlerën e 3 pikëve e ka realizuar qendërmbrojtësi Goxha. Ishte një fotokopje e golit të fitores së Besës në Fier, po në kohën shtesë. Në këtë sfidë u aktivizuan edhe dy prurjet e fundit te kavajasit, ganezët Daniel Duodu dhe Bedrah Xhoel. Me këtë fitore aspak të lehtë, Besa ruan distancën me dy kryesuesit dhe ndeshja e ardhshme në Vlorë do të përcaktojë disi edhe fatet e saj.

NDESHJA – Kavajasit e nisin takimin në sulm, ku Spahiu fillimisht dhe më pas Stafa godasin drejt portës, por pa sukses. Miqtë shfaqen rrezikshëm pas 12 minutash me Birçaj, që pengohet në hyrje të zonës. Te Kukësi ka pretendime për 11-metërsh, por gjyqtari vijon lojën. Ky është ngacmimi i vetëm i Kukësit, pasi Besa vijon të dominojë ndeshjen me gjuajtje dhe raste, si ai i Nonatos, por dhe braziliani pa rezultat. Nurja detyron portierin Dervishaj të “fluturojë” për të evituar një gol të sigurt. Përtej dominimit, Besa nuk gjen dot golin në pjesën e parë, duke hasur vështirësi në sulm. Me të filluar pjesa e dytë kavajasit pretendojnë për një 11-metërsh, teksa Nonato pengohet brenda zonës, por gjyqtari nuk mendon kështu. Stafa provon të majtën, por topi “qeth” traversën në minutën e 62-të.

Besa vazhdon në kërkim të golit, Kukësi më shumë mbrohet. Për të ardhur në minutën e 74-t, kur Greca realizon një eurogol, teksa topi shkon në trekëndësh. Ndeshja ka surprizat e saj dhe kur Besa ishte afër golit të dytë, miqtë barazojnë në një sulm pa pretendime, ku Hilaj godet shkëlqyer në hyrje të zonës dhe shtang kavajasit. Besa luan gjithçka për gjithçka në çerekorëshin e fundit. Janë disa goditje radhazi nga jashtë zonës, por pa rezultat. Për të ardhur në minutën e fundit, kur “shpëtimtari” i kavajasve është sërish Jurgen Goxha. Pas një harkimi ideal të Kapos, ai kërcen mbi të tjerët dhe shënon me kokë golin e fitores, duke shpëtuar Besën nga një tjetër rezultat i papranueshëm. Kavajasit marrin një fitore të vuajtur, më shumë për mangësi të tyre në finalizim se sa për meritë të kuksianëve.

BESA-KUKËSI 2-1

GOLAT: Greca 74’, Goxha 90’/ Hilaj 76’

BESA: Mehidri, Frashëri, Abdullai, Goxha, Nurja (Aleksandre 68’), Stafa (Doudu 84’), Oliveira, Migone, Spahiu (Bedrah 84’), Greca, Nonato (Kapo 46’). (Në dispozicion: Ahmetaj, Gjinaj, Dabo, Ramilli, Kruz). Trajner: Emiljano Çela

KUKËSI: Dervishi, Lamellari, Tomas, Jozef, Selita (Xhekson 57’), Jusuf, Sefa, Danaj, Hilaj, Fatiga, Birçaj (Avdiu 51’). (Në dispozicion: Samuel, Mejdani, Halili, Metani, Hasanaj). Trajner: Alfred Allamani

Kartonë të verdhë: Greca 61’/  Jusuf 64’, Avdiu 72’

Gjyqtarë: K.Prenga (Laç), R.Avdo, G.Mënaj (Tiranë)

Delegat: Egli Kokona (Tiranë)

Vëzhgues: Arben Pregja (Tiranë)

 

Pas ndeshjes

Trajneri i Kukësit, Allamani: U ndëshkuam në sekondën e fundit

Në fjalën pas ndeshjes, trajneri i Kukësit, Alfred Allamani, për “Panorama Sport” theksoi se ndjen keqardhje për golin e pësuar në fund, që i hoqi një pikë skuadrës së tij. “Të them të drejtën, ishte një ndeshje shumë e bukur dhe e luftuar nga të dyja skuadrat. Ashtu si shkoi loja, na erdhi keq që u mundëm në sekondën e fundit. Skuadra, me gjithë ato mungesa, ka reaguar shumë mirë ndaj një kundërshtari të fortë. Por në futboll, herë fati dhe herë mungesa e eksperiencës, ndikojnë në rezultat. Gjithsesi, me afrimet e fundit që ka bërë klubi, kam besim se do ta përballojmë me sukses pjesën e mbetur të sezonit”, u shpreh trajneri Alfred Allamani. V.MEMA

Kuli: Dominuam lojën, Kukësi u mbrojt fort

Pas fitores kundër Kukësit ka folur zv.trajneri i Besës, Bekim Kuli, i cili mes të tjerash ka theksuar se skuadra hasi vështirësi, sepse kundërshtari u mbrojt në bllok. Megjithatë, sipas numrit 2 të stolit kavajas, rëndësi ka trepikëshi. “Ishte një ndeshje e dominuar nga ana jonë, por edhe Kukësi tregoi karakter. Ata u mbrojtën në bllok të ulët, duke na hapur jo pak vështirësi. U munduam të qarkullonim topin në krahë dhe krijuam raste. Erdhi goli i Grecës dhe menduam se ekipi do të ishte në ekuilibër, por Kukësi shënoi pastaj një eurogol, duke na e bërë më të vështirë. Bëmë disa freskime të lojtarëve, nga të cilët prisnim më shumë dhe si përfundim kaluam me tre mbrojtës. Nuk kishim çfarë të humbnim. Shënuam në fund ndaj një ekipi që u mbrojt në bllok, pavarësisht se dominuam thuajse gjatë gjithë kohës” tha Bekim Kuli. Para se të drejtonte skuadrën e qytetit të tij bashkë me trajnerin Çela, ata ishin pikërisht në krye të Kukësit.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"