“Besimi që kanë vlonjatët, ushqim për këtë skuadër”, Agostineli: Në Itali Kupa nuk vlerësohet, Flamurtari e synon
Flamurtari synon të shkojë sa më larg në Kupën e Shqipërisë dhe sot në orën 13:30 presin Devollin në Vlorë. Trajneri Andrea Agostineli gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, thekson se mentaliteti i skuadrës është që të fitojë çdo takim.
Trajneri i Flamurtarit thekson se nga vendi që vjen, Italia, Kupës nuk i kushtojnë shumë rëndësi, por në Shqipëri ka parë dëshirë te skuadrat për ta fituar këtë trofe. “Në Kupë ne duam të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur. Mentaliteti i grupit është që të fitojmë çdo ndeshje. Skuadra ime ka ‘uri’ për të fituar dhe këtë e ka demonstruar gjatë këtyre javëve në kampionat. Unë kam vënë re përgjatë gjithë kohës që kam qenë këtu në Shqipëri, si kur isha te Partizani dhe te Skënderbeu, që dëshira për Kupën është më e madhe te skuadrat shqiptare se sa te ne në Itali.
Andej nga vij unë, më shumë rëndësi i kushtojnë kampionatit. Duke ditur se si janë kërkesat dhe objektivat këtu, patjetër që do të punojmë në të dyja frontet, si në kampionat dhe në Kupë. Mendësia ime e lojës, por edhe e të gjithëve te Flamurtari, është që grupi të jetë i bashkuar dhe me një objektiv, çdo ndeshje duhet fituar. Këtë mendësi do ta kemi edhe në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë”, shprehet fillimisht Agostineli.
DEVOLLI – Andrea Agostineli thekson se respekton çdo kundërshtar dhe se ndeshjet duhet të fitohen në fushë dhe jo me fjalë. Italiani pohon se në Vlorë është rikthyer besimi për Flamurtarin. “Ne respektojmë çdo kundërshtar. Nuk i ndajmë ata në të dobët dhe në të fortë. Ndaj, jemi shumë serioz në këtë drejtim. Ashtu do të bëjmë edhe në ndeshjen e Kupës me Devollin. Ndeshjet duhet të fitohen në fushë, jo me fjalë. Besimi në skuadër, por edhe te tifozët është rikthyer. Më vjen mirë që djemtë djersinë në fushë dhe që luajnë për këtë skuadër. Ndeshjet kanë humbje dhe fitore, por besimi dhe entuziazmi që kanë qytetarët dhe tifozët janë ushqimi për këtë skuadër”, thotë italiani.
FORMACIONI – Në ndeshjen e sotme me Devollin, Agostineli do t’u japë më shumë hapësira lojtarëve të stolit dhe atyre që nuk kanë marrë minuta të mjaftueshme gjatë kampionatit. “Në këtë ndeshje do të aktivizojmë lojtarët që kanë marrë më pak minuta gjatë takimeve të kampionatit. Në skuadër kam lojtarë profesionistë dhe me vlera dhe që të gjithë duhet të marrin minuta. Mendoj se ky është një moment i mirë edhe për të rinjtë. Të gjithë duhet të tregojmë atë që dinë të bëjmë dhe të japin kontributin e tyre në këtë skuadër”, përfundon Agostineli.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"