Bicaj: I kam studiuar, Burreli fiton me tifozët; Magani: Lushnja, kokulur dhe me besim për të marrë maksimumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2024 | 12:49

Bicaj: I kam studiuar, Burreli fiton me tifozët; Magani: Lushnja, kokulur dhe me besim për të marrë maksimumin

Në stadiumin “Liri Ballabani”, Burreli do të presë sot Lushnjën, për llogaritë e javës së gjashtë. Takimi pritet me shumë interes nga tifozëria matjane, që pritet të jetë e shumtë në mbështetje të Burrelit. Trajneri Ditmar Bicaj kërkon vlerësim maksimal të kundërshtarit, si një ndër alternativat për të arritur te suksesi.

burreli lushnja

“Lushnja është një kundërshtar për t’u vlerësuar. Jo vetëm emri dhe tradita që ka në futbollin shqiptar, që të imponon respekt, por dhe në këtë kampionat po tregon stabilitet në lojë dhe rezultate. Mjafton të përmendim barazimin me kryesuesen, Besa”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport” trajneri Bicaj. Krahas përgatitjes së ekipit, trajneri lezhjan i ka kushtuar rëndësi edhe njohjes së kundërshtarit, që sipas tij, ashtu si çdo skuadër ka plus minuset e saj.

“Kundërshtarin e kam studiuar në detaje. Ajo ka pikat e saj të forta dhe të dobëta. Parashikoj një ndeshje të luftuar nga të dy ekipet. Ne jemi me të avantazhuar se luajmë para publikut tonë të mrekullueshëm. Humbja me Kastriotin është lënë pas dhe skuadra është gatshme për dhënë më të mirën në fushën e lojës. Marrja e tri pikëve mbetet objektivi primar dhe i vetëm për ne”, e mbylli kreu i pankinës matjane, Ditmar Bicaj. Ndaj Lushnjës, për shkak të penalizimit nga FSHF-ja, edhe këtë ndeshje ekipit do t’i mungojë mbrojtësi Aleks Dedgjonaj.

NDERIM GOCI

“Lushnja, kokulur dhe me besim për të marrë maksimumin”

Sezoni 2024-2025 ka nisur ndryshe nga edicionet e shkuara, padyshim për mirë, pasi të tilla kanë qenë edhe rezultatet në pesë javët e para. Tani është momenti që skuadra e trajnerit Gugash Magani të konfirmohet edhe në transferta dhe të krijojë vazhdimësinë e lojërave dhe rezultateve të mira. Lushnjarët kanë përfunduar përgatitjet për ndeshjen e sotme me Burrelin, një sfidë për vendin e katërt mes dy skuadrave në formë.

Në deklaratën e prag ndeshjes me matjanët trajneri i lushnjarëve Gugash Magani tregon punën që është bërë në ekip gjatë kësaj jave, si dhe problemet që kanë verdhejeshilët në prag të transfertës së radhës, që luajnë sot në orën 16:00 në stadiumin “Liri Ballabani”. “Në përgjithësi ka qenë një javë e qetë, me pak problematika. Kemi dy lojtarë të dëmtuar, Kamisoko dhe Mateus Motta, por dhe Xhemalaj është me virozë dhe nuk është paraqitur në stërvitje.

Burreli është një kundërshtar i fortë dhe këtë e tregojnë më së miri edhe paraqitja e tyre deri tani. Si në çdo ndeshje tjetër, edhe në Burrel objektivi nuk ndryshon. Futemi në fushë për të marrë maksimumin, kokë ulur dhe me besim”, u shpreh për “Panorama Sport” tekniku peqinas i Lushnjës, Gugash Magani. Në ndeshjen e fundit ndaj Besës trajneri Magnai ishte e i pezulluar dhe e ndoqi takimin nga rrethimi i stadiumit. Me shlyerjen e dënimit i bie që sot trajneri Magani ta drejtojë në Burrel nga pankina.

ALBAN ALUSHI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"