Boje, një bast i fituar: Do të kap elitën me Tomorin! Fitorja në Vlorë nuk ishte rastësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2023 | 22:42

Boje, një bast i fituar: Do të kap elitën me Tomorin! Fitorja në Vlorë nuk ishte rastësi

Portieri ganez, Klement Boje, mund të cilësohet si një bast i fituar te Tomori i këtij sezoni. 21-vjeçari, që ka edhe nënshtetësi italiane, është kthyer në një pikë referimi në lojën dhe sukseset e skuadrës beratase. Falë paraqitjes së tij, Boje ka fituar statusin e “të paprekshmit” në portë.

TOMORI-KORABI

Me pritjet spektakolare që ka bërë në të gjitha ndeshjet, ai është kthyer në një idhull për tifozërinë beratase. Pas ndeshjes së fundit në kampionat ndaj Flamurtarit, që përkoi me fitoren që ngjiti Tomorin në vendin e katërt, ganezi është shprehur i bindur se sukseset do të vazhdojnë edhe në javët e mbetura.

DEKLARATA

“Të jem i sinqertë, fitorja në Vlorë më ka lumturuar shumë. Jo thjesht sepse siguruam provizorisht vendin e katërt, që e kishim si objektiv në këtë fundkampionati, por edhe se kur kam mësuar nga media dhe shokët e skuadrës për emrin dhe historinë e Flamurtarit, kam mbetur i befasuar që arritëm një fitore me vlera të dyfishta. Flamurtari ka qenë dhe mbetet një pretendente kryesore për t’u ngjitur në Superiore.

Në këtë takim unë bëra sa munda. Jam shumë i kënaqur që bashkë me skuadrën kemi dhënë gjithçka në fushë për fitoren. Ky sukses në Vlorë ishte për trajnerin tonë Klodian Arbëri, të cilit unë i detyrohem shumë në karrierën time. Ai më besoi dhe më dha gjithë mbështetjen e tij në debutimin te Tomori. Më dha mundësinë që të kthehem në një personazh që po bëj krenar veten dhe familjen time”, deklaroi fillimisht për “Panorama Sport”, 21-vjeçari nga Gana, i cili përpara se të bëhej pjesë e Tomorit, ka luajtur në vendlindje dhe Maltë. Boje është i bindur se do të ketë një të ardhme të ndritur.

“Ky kampionat dhe kjo paraqitje është një sinjal për të gjithë, sepse unë nëpërmjet Tomorit do të kem një të ardhme të madhe në futboll. Dhe unë kërkoj që ta fiksoni mirë këtë deklaratë. Tomori ka një siguri dhe garanci të madhe në portë dhe unë do të kontribuoj në gjithçka për të synuar elitën.

Për momentin po punoj fort me përgatitësin e portierëve dhe me besimin që më japin shokët, trajneri Arbëri dhe tifozëria e mrekullueshme e Tomorit”, përfundoi portieri titullar i beratasve.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"