BOKS/ Nga Beqiri te Çullhaj dhe Nurja, kampionët kuqezi shkëlqejnë në eventin “Grushti i hekurt”
Aktiviteti i boksit profesionist “Grushti i hekurt” ka zhvilluar të premten në Tiranë edicionin e tij të dytë. Një event që dhuroi spektakël në sallën “Feti Borova” me 16 duele, teksa në ring u ngjit elita e boksit shqiptar, ndërsa nuk munguan as sfidat në radhët e femrave.
Alban Beqiri, shqiptari më i suksesshëm në boksin olimpik si medalist botëror, korri fitoren e 10-të në karrierë si profesionist, teksa e detyroi turkun Oner Sahinerol të tërhiqej. Paraqitje shumë e mirë edhe nga Denis Nurja, i cili triumfoi ndaj rivalit nga Namibia, Charles Shinima, duke i shkaktuar këtij të fundit humbjen e parë në karrierë pas 17 fitoresh. Ky ishte sukesi i 13-të në po kaq duele për Nurjen. Paraqitje e shkëlqyer edhe nga Albam Bërmeta, i cili fitoi ndaj turkut Fatih Keles, duke shënuar fitoren e 15-të, ndërsa vijon të mbetet i pamposhtur në ring. Tjetër provë bindëse nga Mikel Çullhaj, i cili dominoi ndaj gjeorgjianit Aduashvili, duke u konfirmuar si një prej boksierëve më të mirë shqiptarë.
Fitore regjistruan edhe Xhuzepe Jaka, Armando Karaj në debutim, si dhe Aleksandër Ramo. Kështu “Grushti i hekurt” ul siparin e një tjetër ediconi të sukseshëm, një event i organizuar nga Taulant Stërmasi dhe që u ndoq nga afër nga drejtuesit më të lartë të sportit shqiptar, duke nisur nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, për të vijuar me zv.ministrin e MAS, Endrit Hoxha, me kreun e Federatës Shqiptare të Boksit, Florent Kalivopulli si dhe me presidentim e Unionit të Boksit Profesionist në Shqipëri, Ilir Bregasi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"