Bomberat, “në luftë” për nëntorin/ Silvinjo do të zgjedhë vetëm 3 prej tyre, si janë shifrat e sulmuesve kuqezi
Në muajin nëntor Kombëtarja sh qiptare po të mbyllë llogaritë me Ligën e Kombeve ku synimi kryesor është vendi i parë në grup, kjo e nisur edhe për vetë faktin se dy ndeshjet e fundit, me Çekinë dhe Ukrainën luhen në “Air Albania”.
Një prej problemeve të hasura në ekipin kombëtar ka qenë ajo e një sulmuesi kryesor stabël, të cilin Kombëtarja nuk po e gjen. Nëse i hyjmë analizës diçka e tillë nuk ka ndodhur për shumë faktorë të ndryshëm, por gjithsesi në ndeshjen e dytë të Europianit, “stafetën” e mori Rei Manajn i cili u përpoq të kthehej në pikë referimi në sulmin kuqezi. Në dy ndeshjet e kompeticionit madhor sulmuesi nuk arriti të shënonte, kjo edhe për cilësi dhe meritë të kundërshtarit.
Megjithatë, edhe në ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, Manaj e vazhdoi këtë rrugëtim, ku kontribuoi me një asist kundër Ukrainës, por u konsumua shumë në ndeshjen e dytë në shtëpi. Në tetor, Silvinjo nuk kishte as Manajn dhe as Uzunin, ndërkohë në sulm luajti një ndeshje Daku dhe në Gjeorgji Tuci. Kaq shumë lëvizje në majën e sulmit, teksa në nëntor, të paktën deri tani përveç Brojës që nuk është ende gati, pjesa tjetër e sulmuesve janë në dispozicion.
Por, le të shohim se si është rendimenti dhe statistikat e tyre me klubet respektive, edhe pse koeficienti i kampionatit ku ata luajnë nuk është i njëjtë. Në këtë renditje janë futur edhe Myrto Uzuni dhe Taulant Seferi e pavarësisht se mund të luajnë në krah, Silvinjo është shprehur qartë se për të janë sulmuesë pykë, siç kanë luajtur edhe në ndeshjet e fundit me Kombëtaren.
SHIFRAT
Mirlind Daku ka luajtur më shumë ndeshje, kjo për shkak se në Rusi ka filluar më herët kampionati. Sulmuesi ka zbritur 12 herë në fushë dhe ka gjetur 6 herë golin me Rubin Kazanin. Shpresohet që sulmuesi t’i ketë lënë pas shqetësimet duke u detyruar që në disa ndeshje të luante me injeksion. Më poshtë është Myrto Uzuni i cili në La Liga 2 ka luajtur 9 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola me Granadën. Beratasi i humbi dy ndeshjet e fundit të Kombëtares për shkak të një dëmtimi.
Rei Manaj është rikthyer dhe me rrjetat që ka tundur në takimet e këtyre ditëve, ka shkuar në shifrën e 4 golave në 7 sfida të luajtura pasi disa prej tyre i humbi për shkak dëmtimi. Tri herë ka shënuar edhe Indrit Tuci me Spartën e Pragës, teksa luajti titullar në fitoren në Gjeorgji.
Vetëm dy herë ka tundur rrjetën Taulant Seferi, edhe pse janë 5 ndeshjet që ai ka luajtur me Bodrumsporin. Mbetet për tu parë se cilin prej tyre do të preferojë Silvinjo për ndeshjet e muajit nëntor dhe se cilin do të lërë jashtë. Aktualisht Kombëtarja shqiptare është në vendin e tretë me gjashtë pikë, po aq sa Çekia dhe një më pak se Gjeorgjia që kryeson grupin.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"