Bordin: Dua saktësi para portës, Elbasani në rritje. Jemi gati për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2024 | 19:08

Bordin: Dua saktësi para portës, Elbasani në rritje. Jemi gati për Partizanin

Pas kalimit me sukses në Kupën e Shqipërisë, Elbasani është i fokusuar tani tërësisht në ndeshjen e kampionatit, aty ku do të ketë përballë kryesuesit e Partizanit. Në fakt, edhe Kupa më shumë i ka shërbyer ekipit si një test parapërgatitje para duelit me të kuqtë, duke qenë se kalimi i këtij turi konsiderohej si një formalitet.

bordin

Një ndeshje shtëpie përballë të kuqve, me verdheblutë, që nuk e kanë luksin të gabojnë, pasi mund të humbin ritmin e skuadrave kryesuese. Në rast të një fitoreje, elbasanasit do të parakalonin kryeqytetasit në renditje dhe mund të ngjiteshin në krye, përpos aspektit moral që do t’i bënte mirë në këto momente. Në fjalën e tij për mediat pas sfidës së Kupës ndaj cërrikasve, trajneri i Elbasanit, Roberto Bordin, u ndal mbi të gjitha edhe te ndeshja e së dielës në “Elbasan Arena”.

Ai pohon se ka ende kohë për ta përgatitur sa më mirë këtë takim, që e konsideron të rëndësishëm. “Kemi edhe pak ditë për të përgatitur ndeshjen me Partizanin. Ata që nuk luajtën në Kupë me Turbinën kanë bërë stërvitje individuale. Kemi edhe pak kohë për të përgatitur këtë ndeshje të rëndësishme”, u shpreh fillimisht kreu i pankinës elbasanase, që shpreson te rezultati pozitiv këtë të diel.

NGËRÇI ME PRETENDENTËT –  I ngacmuar rreth faktit që Elbasani nuk po ia del dot që të fitojë ndaj ekipeve pretendente, Bordin nuk u duk i shqetësuar. Ai e sheh problemin vetëm te mungesa e golit, sepse në të gjitha situatat e tjera të lojës janë në rregull.

“Na ka munguar goli, sepse rastet i kemi pasur në të gjitha ndeshjet që kemi luajtur. Gjëja pozitive është që i kemi pasur rastet, edhe në ndeshjen e fundit. Por është e kuptueshme që duhet të konkretizojmë, të jemi më të këqij dhe më të vendosur për të shkuar te goli”, u shpreh italiani rreth këtij problemi, që sigurisht shpreson të thyejë “mallkimin” e fitoreve me “të mëdhatë”, ndonëse duhet që më parë të rregullojnë problemin me golin.

Sa i përket gjendjes së skuadrës dhe nëse ajo ka arritur ende aty ku duhet, Bordin pohon se në çdo kohë dhe në çdo rast ka gjithnjë vend për përmirësim. “Skuadra duhet të jetë gjithmonë dhe gjatë gjithë sezonit në rritje dita– ditës. Megjithatë, është ende fillimi i kampionatit, presim rritje të mëtejshme dhe besoj se nuk do të mungojë në skuadër”, mbylli prononcimin e tij kreu i pankinës verdheblu, i cili nën drejtimin e kësaj skuadre deri më tani ka një bilanc prej tri fitoresh, katër barazimesh dhe vetëm një humbjeje, me Dinamon në “Elbasan Arena” në minutat e fundit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"