Bordin: Humbja si mësim, Elbasani do të ndryshojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2024 | 10:41

Bordin: Humbja si mësim, Elbasani do të ndryshojë

Elbasani do të presë sot Laçin në “Elbasan Arena” në orën 19:00,me synimin e vetëm për të dalë me tri pikët. Humbja me Dinamon pak ditë më parë i vë nën presion verdheblutë për të tentuar menjëherë fitoren, edhe për faktin se luajnë në shtëpinë  e tyre dhe një tjetër hap fals do të ishte i tepërt.

bordin

Megjithatë, në prononcimin e dhënë për mediat para kësaj ndeshjeje, tekniku i Elbasanit, Roberto Bordin, është i qetë, ku pohon se humbjet të bëjnë të reflektosh dhe me Laçin do të përpiqen të nxjerrin një ndeshje të mirë. “Humbjet shërbejnë për të kuptuar gabimet që ke bërë edhe sesi do të sillesh ndeshjen tjetër. Jemi në javëne katërt të kampionatit, duhet të jemi të përqendruar dhe të analizojmë ndeshjen për të karikuar bateritë, rritur përqendrimin dhe bërë një ndeshje të mirë me Laçin”, u shpreh fillimisht italiani i pankinës verdheblu.

Më tej, ai paralajmëroi se edhe mund të ketë ndryshime ndaj kurbinasve, ku gjatë javës kanë provuar disa gjëra ndryshe. “Laçi është një skuadër e mirë dhe dinamike. Kemi provuar disa gjëra ndryshe këtë javë, kemi pasur ndryshime gjatë javës dhe në fund të stërvitjes do të vendosim edhe sesi do të luajmë në këtë përballje”, u shpreh në vijim të fjalës së tij, Roberto Bordin.

RIKTHIMET – Italiani vlerëson këtë periudhë pushimesh, e cila në njëfarë mënyre i ka bërë mirë verdhebluve, duke parë që infermieria ishte plot dhe në tri sfidat e para skuadra ka qenë e privuar nga mungesa e disa prej titullarëve. “Këto ditë pushimesh kanë shërbyer për rikthimin e Ze Gomesh me Grecën të cilët janë rikuperuar 100%. Por edhe për rikuperimin e lodhjes së të gjithë lojtarëve dhe grupit, duke pasur më shumë kohë për të bërë stërvitje. Kemi pasur një ditë më shumë në mikrociklin javor, ku kemi bërë gjashtë seanca stërvitore”, sqaroi Bordin.

Në fund, tekniku u ndal edhe te dy afrimet e reja, Abalora dhe Tsage, me portierin që është gati, ndërsa sulmuesi ende jo. “Portieri është gati, ndërsa sulmuesi do ende kohën e vet. Edhe pse është stërvitur me ekipin, do kohën e tij të ambientimit dhe ka qenë pak më mbrapa nga ana fizike, ndërsa tani është duke marrë veten. Është e kotë të rrezikojmë që javën e katërt me lojtarët që nuk janë gati 100%”, e mbylli prononcimin e tij për mediat tekniku i Elbasanit, Roberto Bordin.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"