Bordin: Luajmë pa llogari me Tiranën, duhet të kënaqim tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 15:58

Bordin: Luajmë pa llogari me Tiranën, duhet të kënaqim tifozët

Elbasani shpreson të dalë ditën e sotme nga “Air Albania” me maksimumin e mundshëm përballë bardhebluve dhe nuk vjen në kryeqytet për të bërë llogaritë. Të paktën, kështu shprehet në daljen e tij para mediave tekniku i verdhebluve, Roberto Bordin.

bordin

Italiani i gëzohet gjendjes së mirë të skuadrës dhe i vetëdijshëm për rëndësinë që ka një sfidë e tillë edhe për tifozët elbasanas, pret një përballje të ndjerë dhe të luftuar nga të dyja skuadrat në fushën e lojës. “Situata është shumë e mirë, kemi rikuperuar të gjitha energjitë pas ndeshjes me Laçin. Ata që kanë luajtur më shumë dhe kanë shpenzuar më shumë energji kanë bërë një stërvitje paksa më ndryshe. Këto dy ditët e fundit kemi bërë përgatitjet për ndeshjen me Tiranën”, u shpreh fillimisht Bordin.

OBJEKTIVI – Tekniku i Elbasanit nuk vë bast për barazim para një ndeshjeje, pasi sipas tij, është gabim i madh të bësh llogari para saj. Ai parashikon që do të jetë përballje e fortë nga të dyja ekipet në fushën e lojës. “Ne do të shkojmë të luajmë ndeshjen, pa bërë llogari para saj. Është gabim ta bësh një gjë të tillë. Është një ndeshje shumë e ndjerë ngatë dyja skuadrat, sidomos nga ana e tifozerisë. Për këtë arsye do të jetë një ndeshje e vështirë, e luftuar, me intensitet të lartë, por jemi gati ta përballojmë këtë sfidë”, vijoi më tej prononcimin e tij për mediat italiani i pankinës elbasanase.

GOLAT – Fakti që në Elbasan shënojnë të gjithë, por nga ana tjetër nuk ka nxjerrë në pah asnjë golashënues, është diçka që nuk e shqetëson trajnerin. Sipas tij, është herët për të dalë në skenë një lojtar që të shënojë rregullisht. “Pa diskutim që është shenjë e mirë që shënojnë të gjithë, por është e vështirë që pas katër javësh të kesh një golashënues. E rëndësishme është që të krijosh raste për gol, siç e kemi bërë ne gjatë këtyre javëve. Të jemi më konkretë në të gjitha rastet që na dalin”, vijoi Bordin, skuadra e të cilit deri më tani ka gjetur gjashtë herë rrugën e rrjetës me gjashtë lojtarë të ndryshëm.

PËRMIRËSIMI – Sipas italianit, ka ende nevojë për përmirësim në skuadër, duke sqaruar se ata përpiqen të punojnë çdo ditë për këtë gjë dhe në një ekip të mbushur me lojtarë të rinj duhet kohë për të arritur maksimumin.”Është fillimi dhe gjithmonë ka vend për përmirësim, ku duhet t’u japim kohë edhe disa lojtarëve të rinj që kanë ardhur pak më vonë. Kur ke kaq shumë lojtarë të rinj në skuadër duhet t’u japësh kohën e vet dhe pas disa muajve do kuptohet edhe përshtatja që kanë me njëri-tjetrin. Megjithatë, çdo ditë duhet të përmirësohemi në sensin pozitiv”, mbylli prononcimin e tij për mediat trajneri i Elbasanit,Roberto Bordin.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"