Botërori i Notit/ “Do të jap 101%! E zhgënjyer nga mosthirrja në Mesdhetare”, Nikol Merizaj: Synoj rekordet kombëtare!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 11:40

Botërori i Notit/ “Do të jap 101%! E zhgënjyer nga mosthirrja në Mesdhetare”, Nikol Merizaj: Synoj rekordet kombëtare!

Nga data 17 qershor deri më 3 korrik në Budapest po mbahet Kampionati Botëror i notit, që është edhe eventi më madhor i vitit në sportin e ujit. Në këtë aktivitet merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet nga Nikol Merizaj dhe Kledi Kadiu. Në prag të debutimit në Botëror, gazeta ka kontaktuar me Nikol Merizajn, kampione e padiskutueshme prej vitesh në vendin tonë dhe mbajtëse e shumë rekordeve. Merizaj do të konkurrojë nesër në disiplinën 50 metra delfin dhe në datë 24 qershor në disiplinën 50 metra stil i lirë. Notarja kuqezi, e cila është pjesë e skuadrës së Tiranës, duket shumë e karikuar dhe e entuziazmuar për këto gara, aty ku kërkon përmirësimin e kohëve të saja personale, që janë edhe rekorde kombëtare. Por Nikol shpreh gjithashtu edhe zhgënjimin e saj për mosthirrjen në Lojërat Mesdhetare. Megjithatë, ndonëse ka shumë për të thënë për këtë çështje, për momentin ajo kërkon që të mbetet e fokusuar te Botërori dhe shkurtimisht thotë: “Ndoshta kryesia nuk është e interesuar për medalje dhe rezultatet në Mesdhetare”.

NIKOL MERIZAJ

Si vjen Nikol Merizaj në këtë Kampionat Botëror?

Si në çdo garë do të mundohem të bëj më të mirën time, të jap 101% nga vetja. Gjithmonë mendoj se duhet të shpërblehem për punën e lodhshme dhe gjithë përkushtimin që jap në sportin e notit.

Si paraqitet forma juaj?

Forma ime fizike është shumë e mirë deri më tani, por dita e garës është gjithmonë shumë delikate dhe jo çdo gjë është në dorën time. Shpresoj që me shumë fat ajo ditë do të më japë suksesin e punës sime.

Me çfarë synimesh futeni në këto gara?

Synimi në çdo garë timen është që të përmirësoj veten dhe në detajet më të vogla dhe në qoftë se e arrij këtë atëherë edhe rezultati do të jetë një rekord i ri për mua dhe për Shqipërinë.

I sati Kampionat Botëror do të jetë ky për ju?

Ky do të jetë Kampionati i katërt Botëror për mua në pishina 50 metra, pasi më parë kam marrë pjesë në “Rusi 2015”, “Hungari 2017”, “Kore e Jugut 2019” dhe tani sërish në Budapest për “Hungari 2022”.

Cilat janë emocionet që përjetoni në evente kaq madhore?

Emocionet janë të papërshkueshme, por mundohem të jem sa më e fokusuar dhe t’i them vetes se aty jam për një qëllim, i cili është që të notoj sa më mirë, pa gabime, duke përmirësuar kohën time.

Ndërkohë, ndonëse një kampione absolute prej vitesh në Shqipëri, ju nuk do të jeni në Lojërat Mesdhetare. Si do ta komentoni këtë zgjedhje?

Jam kampione absolute që prej vitit 2013 duke poseduar pjesën më të madhe të rekordeve kombëtare, por për fat të keq në Lojërat Mesdhetare nuk do të jem pjesë dhe kjo jo prej mosdëshirës sime. Isha përgatitur bashkë me trajnerin tim që Shqipërisë t’i sillnim medaljen e parë në sportin e notit, por mbase kjo dëshirë nuk ishte aq e madhe sa e imja nga ana e kryesisë, ndoshta medaljet dhe rezultati nuk janë synimi i tyre.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"