“Brdariç është detajist”, Zogoviç nuk ka dyshime: Vllaznia mbi të tjerët, këtë sezon merr titullin
Bojan Zogoviç është një nga ata futbollistë të huaj që kanë fituar trofe me Vllazninë. Portieri malazez ishte pjesë e kuqebluve për 3 sezone, duke fituar kupën e Shqipërisë në edicionet 2020-21 dhe 2021-22. Tani luan për Arsenal Tivat në Malin e Zi. Në një intervistë për “Panorama Sport” 35-vjeçari shpreh bindjen se është sezoni që Vllaznia të fitojë titullin.
Bojan, sa i keni ndjekur zhvillimet e këtij sezoni në Superiore?
Për shkak të angazhimeve me Arsenal Tivat nuk i kam ndjekur gjitha ndeshjet. Kam parë duelet më kryesore, veçanërisht Vllazninë, që në një rast e kam ndjekur edhe në Shkodër. Kam vënë re që është një sezon i “egër” në Shqipëri, ku të gjithë më duken pak a shumë të barabartë.
Po Vllaznia, si ju është dukur?
Para një jave ishim në Shkodër për një miqësore. E di që nuk e kishte ekipin të plotë, por pashë cilësi te Vllaznia, edhe te djemtë e rinj, nëse mund t’i konsideroj të tillë. Kanë një ekip shumë të mirë këtë sezon dhe këtë e kanë vërtetuar edhe rezultatet.
I takove ish-shokët e skuadrës?
Patjetër që po, madje më erdhi keq për dëmtimin e Krymit, të cilit i uroj shërim sa më të shpejtë, sepse ai është një lider. Të mos harrojmë Gurishtën, Malën dhe Balajn. Të gjithë këta lojtarë janë një “luks” për këdo, prandaj besoj se ky do jetë sezoni i Vllaznisë.
Për të fituar titullin kampion?
Absolutisht po, kam besim dhe patjetër dëshirë që Vllaznia të triumfojë në kampionat. E meriton për atë çfarë përfaqëson dhe tifozët e mrekullueshëm. Me ekipin që ka, them se është pak mbi të tjerët.
Pse besoni se me trajnerin gjerman do të konkretizohet ajo që nuk u arrit në edicionin 2020-21?
Fola pak me Brdariç në Shkodër, është një profesionist i vërtetë, një detajist. Ne për pak nuk ia dolëm para 4 vitesh dhe na ka ngelur “peng”. Uroj që ai sukses i munguar të arrihet këtë edicion. Me Brdariç në krye, Vllaznia është në drejtimin e duhur.
Në fund, një mendim për portierin Qarri…
Kristin e njoh mirë, është rritur sportivisht aty me mua. Është një djalë i mrekullueshëm, një portier shumë i mirë për mendimin tim. Ka pasur rritje nga sezoni i kaluar dhe kjo reflektohet në fushë. E meriton të mbrojë portën e Vllaznisë, i uroj shumë suksese!
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"