Burreli me ecuri pozitive, Shkalla: E vështirë, por në Lushnjë shkojmë për fitore
Qendërmbrojtësi shtatlartë i Burrelit, 29-vjeçari Silvestër Shkalla, falë eksperiencës së tij dhe cilësive individuale, është kthyer në një lojtar kyç për repartin e mbrojtjes te skuadra matjane. Ai me shtatlartësinë që ka (1.91m) me goditjet me kokë, hera-herës bëhet shqetësim për mbrojtjet kundërshtare.
Për “Panorama Sport”, Shkalla thotë: “Në Burrel falë frymës pozitive dhe harmonisë së grupit, ndihem shumë mirë për vetë faktin se grupi dhe stafi drejtues ma kanë bërë më të thjeshtë ambientimin në këtë ekip”. Përveç detyrave të tij në repartin e mbrojtjes, që i kryen me përgjegjësi hera-herës, Shkallën e shohim të shfaqet rrezikshëm në mbrojtjen kundërshtare me goditjet me kokë. Në lidhje me këtë lojtari i tij ka mendimin e tij. “Është një detyrë që ma ka kërkuar trajneri për ta kryer kur skuadra është në fazën sulmuese. Unë jam përpjekur ta bëj sa më mirë”, thotë Shkalla. Për ecurinë e deritanishme të Burrelit, Shkalla shprehet me nota pozitive.
“Ecuria jonë është jashtëzakonisht pozitive, e dëshmuar me rezultatet e arritura dhe renditjen në tabelën e klasifikimit, vendi i katërt. Këto kanë bërë që ne të jemi edhe surpriza e këtij sezoni, mision të cilin do ta vazhdojmë deri në fund të tij”, pranoi mbrojtësi. Ndërsa sa i përket ndeshjes së radhës në transfertë me Lushnjën, duke e vlerësuar kundërshtarin, Shkalla është optimist në arritjen e një rezultati pozitiv.
“Me Lushnjën do të jetë një ndeshje e vështirë, për faktin se kundërshtari ka ekip shumë të mirë. Pavarësisht kësaj, ne kërkojmë ta mbyllim me rezultate pozitive këtë pjesë të kampionatit, ndaj shkojmë atje për fitore, që besoj se do ta arrijmë”, mbylli mbrojtësi.
Tekniku Bicaj, në transfertën e Lushnjës do ta ketë të plotë grupin, gjë që e lejon të bëj përzgjedhjen më të mirë.
MARTIN DEDAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"