Burreli nuk e ndal vrullin, ja apeli i Bicajt për lojtarët
Burreli nuk njeh pushim. Drejtuesit mendojnë se mënyra më e mirë për të mbajtur ekipin të karikuar, është puna. “Pavarësisht se kampionati ka pushuar dhe nuk kemi ndeshje zyrtare, ne do të vijojmë intensivisht stërvitjen për të mbajtur ritmin. Nuk kemi kohë për të pushuar”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport”, trajneri i Burrelit, Ditmar Bicaj.
“Pushuam dy ditë për Krishtlindje, dhe nesër (sot) do të zbresim në fushë për të vijuar punën. Kështu do të vazhdojmë deri më 30 dhjetor. Në datat 1 dhe 2 janar 2025, do të jemi pushim me rastin e Vitit të Ri, dhe më pas në datën 3 do të jemi në rresht të gjithë për stërvitje”, vijon trajneri.
Teksa përcjell një urim për futbollistët e tij, ai vazhdon: “Urimi im për gjithë lojtarët është: T’i kalojnë gëzueshëm Krishtlindjet dhe po ashtu edhe Vitin e Ri. Të kenë paqe, begati dhe mirësi në familjet e tyre, shëndet e mbarësi. Suksese me Burrelin”.
Teksa e pyet se sa i kënaqur është me grupin që ai trajnon, Bicaj thotë: “Me grupin jam jashtëzakonisht i kënaqur, por pres më shumë nga djemtë e rinj, që ne u kemi hapur dyert dhe u kemi dhënë mundësi të jenë pjesë e ekipit të Burrelit. Ata duhet të rrisin sa më shumë gatishmërinë dhe të vlerësojnë çdo minutë që u jepet në lojë dhe ta vlerësojnë stërvitjen maksimalisht.
Pa harruar, se futbollist nuk bëhesh me një orë e gjysmë apo dy orë stërvitje, që mund të bëjë trajneri. Ata duhet të punojnë më shumë individualisht. Këtë ua kam thënë dhe përsëritur disa herë, ndaj po ua them edhe publikisht, se kur të vijë mundësia për të marrë minuta duhet të jesh dyfish më i përgatitur sesa ai që ishte titullar”.
Trajneri i Burrelit, Ditmar Bicaj, është i qartë në apelin e tij, ku falë punës të nisur në verë ka krijuar një ekip konkurrues dhe me rezultate konkrete. Burreli renditet në vend të katërt në klasifikim dhe ka një mentalitet fituesi, si brenda dhe jashtë fushës. Matjanët janë brenda objektivave të vendosura në fillimit të kampionatit, për të qenë në gjashtëshen e ekipeve më të mira të Kategorisë së Parë.
MARTIN DEDAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"