Burreli pret portier dhe sulmues, Lleshaj: Jemi në bisedime, e mbyllim sa më shpejt
Nga e hëna, skuadra matjane ka nisur përgatitjet për ndeshjen e parë të kampionatit, që do ta luajë në transfertë kundër Flamurtarit. Merkatoja verore e ka parë Burrelin shumë aktiv, me drejtuesit që janë munduar të plotësojnë në maksimum kërkesat e trajnerit Ditmar Bicaj.
Por, pavarësisht afrimeve të deritanishme, në klub e ndjejnë të nevojshëm afrimin e një portieri dhe një sulmuesi tjetër në fund të merkatos. “Jemi në bisedime me shumë futbollistë dhe shpresojmë ta mbyllim sa më shpejt afrimin e një portieri dhe një sulmuesi, pasi koha deri në përfundim të afatit të merkatos sa vjen e po ngushtohet. Me këto përforcime, skuadra është e kompletuar për të përballuar ndeshjet e kampionatit”, ka thënë administratori i klubit matjan, Marjan Lleshaj, për “Panorama Sport”.
Gjatë fazës përgatitore, Burreli ka zhvilluar pesë ndeshje miqësore, duke marrë një fitore, dy barazime dhe tre humbje, me golavarazh 6-7. “Miqësoret na kanë vlejtur për të parë gjendjen e futbollistëve. Skuadra në përgjithësi ka funksionuar mirë, edhe pse ka vend për riparime. Të gjithë e dimë që kampionati ka tjetër melodi dhe ne do të jemi gati”, përfundoi Lleshaj.
NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"