Burreli shtang Kukësin, Hallaçi teston titullarët para startit të kampionatit
Kukësi ka zhgënjyer në miqësoren e zhvilluar përballë ekipit të Kategorisë së Parë, Burrelit, me shifrat e ngushta 0-1. Mjaftoi një gol i brazilianit Justin për t’i dhënë një fitore skuadrës së Dorian Bubeqit. Verilindorët zbritën në fushë me një formacion 4-2-3-1, me Hallaçin që u besoi lojtarëve që ka më në formë aktualisht dhe që janë projektuar si titullarë të mundshëm në startin e kampionatit.
Mirëpo, edhe pse pritej më shumë nga blutë, për vetë faktin se militojnë në elitë dhe pas një jave u starton kampionati, në fund janë miqtë nga Burreli që ndëshkojnë me anë të brazilianit Justin në minutën e 17- të të pjesës së parë. Edhe pse Kukësi përpiqet të depërtojë nëpërmjet sulmeve për të çarë në zonën matjane, janë të pasaktë, duke treguar edhe njëherë problemin e vjetër të mungesës së finalizimit. Ekipi i Burrelit mbrohet mirë dhe përpiqet të mos luajë inferior, por lojtarët janë të vendosur mirë në fushë dhe luajnë me shpirt të lartë gare, duke i dhënë seriozitetin e duhur miqësores.
E para mbyllet me avantazhin e tyre, me Hallaçin që nis të ndryshojë diçka në pjesën e dytë dhe hedhur në fushë të tjerë lojtarë. Përpjekjet dhe mundësitë nuk mungojnë, por pa rezultat, sepse Burreli është i vendosur mirë në fushë dhe lë shumë pak hapësira. Mbyllet kështu sfida me një fitore morali për Burrelin dhe një humbje atëherë kur nuk pritej për Kukësin, një javë para startit të kampionatit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"