Butrinti/ Drejtori Çakuli: “Divorc” paqësor me Banon, sot presim kthesën me Pogradecin
Adriatik Faslliu bëhet gati për debutim. Vetëm dy seanca dhe trajneri i ri sot do të kërkojë pikët e para. Butrinti ka udhëtuar në Pogradec, atje ku do të luajë një ndeshje të prapambetur. Sarandjotët besojnë te kthesa dhe këtë e thotë edhe drejtori Albert Çakuli për “Panorama Sport”:
“Falënderojmë Artan Banon për kontributin që dha. Punuam së bashku, por në futboll ka të papritura dhe ndodh që jo gjithmonë ke fatin me vete. Butrintit nuk i mungojnë financat.
Në këtë pjesë të dytë të kampionatit, grupi u konsolidua në sajë të afrimeve cilësore që u bënë me lojtarët që bënë diferenca në skuadrat ku kishin qenë në pjesën e parë të garës.
Por, nuk ishim aty ku duhej dhe ku kishim pritshmëritë tona. Kështu që, erdhi ndarja, një ‘divorc’ paqësor pasi Bano u takua me kryebashkiakun dhe së bashku me shtrëngim duarsh ndërprenë bashkëpunimin.
Mendoj se ardhja e Adriatik Faslliut do të bëjë kthesë, sepse Tiku është një njohje e vjetër në futbollin sarandjot. Jemi bashkëlojtarë dhe ai është i familjes, sepse ka qenë pjesë e klubit.
Ka punuar si trajner te moshat, por edhe te skuadra e parë. Në pikën ku ne ndodhemi, mendoj se është bërë zgjedhja e duhur, e cila do të na kthejë te rezultatet që më pas do të sjellin edhe qetësinë.
Trajneri i ri ka treguar vlera dhe ka bërë sukses me ekipet e moshave, kështu që ne si klub kemi shumë besim, madje duke shpresuar që të ndodhë kthesa me rezultate që në Pogradec”.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"