Bylisi fitoi testin me Apoloninë, Egbo: Mora sinjale pozitive, pres lëvizje në merkato
Bylisi dhe Apolonia luajtën të shtunën në orën 18:45 një miqësore mes tyre në stadiumin “Adush Muçaj”, që përfundoi me fitoren 2-1 të ballshiotëve. Ky ishte testi i parë që trajneri Emanuel Egbo drejtonte Bylisin pas marrjes së detyrës, duke u rikthyer në Ballsh pas 10 vitesh.
Egbo, në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, foli për sinjalet që dha skuadra e tij kundër Apolonisë. “Ishte një test që na shërbeu për të parë gjendjen e grupit në dy javë që unë kam në krye të Bylisit, por edhe për ta shfrytëzuar në funksion të ndërtimit të skuadrës. U dhamë shansin të gjithë lojtarëve. Mora sinjale pozitive, por është vetëm fillimi dhe shumë punë na pret përpara.
Ekipi bëri lojë dhe qarkullim topi në momente të caktuara dhe ne si staf na shërbeu kjo sfidë. Në këtë periudhë që kemi në dispozicion, synojmë që të ndërtojmë skuadrën e Superiores. E kam ndjekur Bylisin, por janë larguar disa titullarë.
Kam besim se shumë shpejt do të zëvendësohen. Do të zhvillojmë edhe miqësore të tjera, sepse jemi në kulmin e fazës dhe besoj se pas pak kohësh skuadra do fillojë të marrë formë”, ka thënë trajneri i skuadrës ballshiote.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"