Bylisi, “i dënuar” për pikë kundër Partizanit. Ja situata te skuadra e Nevil Dedes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2024 | 21:24

Bylisi, “i dënuar” për pikë kundër Partizanit. Ja situata te skuadra e Nevil Dedes

Dy javë para fundit të fazës së parë, Bylisi i drejtuar nga trajneri Nevil Dede duhet të nisë t’i bëjë llogaritë ndryshe. Sepse 5 pikë në 7 javë janë shumë pak. Ballshiotët duhet të jenë më solidë në prapavijë, ku kanë shfaqur dobësi javët e fundit.

bylis elbasani

Bylisi ka përpara sfidën me Partizanin, që luhet më 5 tetor në “Arena e Demave”. Një ndeshje shumë e vështirë, por mallakastriotët nuk kanë çfarë humbasin dhe do të bëjnë gjithçka për të marrë të paktën 1 pikë. Stafi teknik ka probleme me mungesa edhe para kësaj ndeshjeje, ku shqetësojnë Junanov dhe Treni. Kapiteni Marin Abazaj rikthehet pas pezullimit dhe sigurisht që do të jetë një forcë më shumë në sfidën me Partizanin.

Mungesa e tij u ndje jo pak kundër Elbasanit, ku Bylisi pësoi humbjen e parë në fushën e tij. Shumë nga lojtarët e skuadrës së parë dje janë lejuar të luajnë me Bylisin U-21, si Mici, Maçolli, Çelaj, Ofori, Souza dhe Igor. Një tjetër angazhim i rëndësishëm për klubin ballshiot është ndeshja e kthimit në Champions-in e të rinjve. Bylisi U-19 ka udhëtuar drejt Kosovës, ku do të luajë sfidën e kthimit me 2 Korrikun, duke tentuar përmbysjen, pasi në Elbasan u mund 1-2.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"