Bylisi ka dëshirë dhe entuziazëm, tani çdo ndeshje e sheh si finale
Ballshiotët janë fokusuar te sfida e së dielës në “Niko Dovana” me Tiranën. Bylisi kërkon që të lërë sa më parë fundin e renditjes. Mallakastriotët kanë zhvilluar edhe ndeshjen e kontrollit dhe është parë qartë një angazhim nga tërë kontingjenti, ndërsa duhet theksuar se edhe konkurrenca për një vend titullari apo dhe për në 20-she është shtuar dukshëm.
Trajneri Dede dhe stafi kanë punuar me të gjithë repartet në aspektin taktik, ndërsa janë fokusuar edhe te sulmi i skuadrës. Në Ballsh janë optimistë se ky grup shumë shpejt do të ndryshojë pozitë në tabelën e klasifikimit, aq më tepër që edhe lojtarët janë të “etur” për fitore. Skuadra ka thuajse qëkur ka nisur sezoni në kushte grumbullimi dhe kjo është zgjedhur për faktin se ka pasur afro 20 afrime dhe synimi ka qenë harmonizimi i grupit, pa thënë se është marrë me shumë seriozitet.
Gjendja në tabelën e renditjes nuk tregon situatën dhe forcën e Bylisit, që në Superiore ka hyrë me ambicie për të qenë në vendet e sipërme të tabelës së renditjes. Natyrisht që edhe dëmtimet dhe lëvizjet e shumta kanë ndikuar në ecuri, sidomos në fazën e parë kur Bylisi pati oshilacione të dukshme në lojë dhe rezultate. Përshtatja e disa elementëve siç kanë: Todik, Ofori, Sulovari e Përgjoni apo dhe Berko në sulm, duke mos harruar pjesën tjetër të skuadrës ka bërë që Bylisi të ketë rritje në performancë javët e fundit.
Skuadra edhe pse guxon pak në sulm, ka arritur që të konsolidohet në portë mbrojtje por edhe në mesfushë, pa mohuar potencialin e Berkos apo përpjekjet e Gjatës. Në Ballsh kanë një “moto”, tashmë ndaj çdo kundërshtari radhe do ta konsiderojnë si një finale më vete.
Ajo që Bylisi ka treguar dhe është e dukshme, është kontingjenti dhe alternativat, ku te ballshiotët nuk mungojnë ndryshe nga disa prej ekipeve rivale. Prandaj edhe deri në fund të vitit 2024, do të “shkarkojnë” të gjitha “bateritë”, për të marrë maksimumin e pikëve dhe për të lënë fundin…E vështirë, por jo e pamundur.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"