Bylisi me ide të qarta, plan për 5 afrime në merkaton e janarit
Në Ballsh kanë menduar që t’i bëjnë llogaritë ndryshe në vitin 2025. Mallakastriotët duket se duan që të përforcojnë skuadrën dhe kjo lind e nevojshme, për atë çka është hasur në gjysmën e parë të garës por edhe nga largimet që ka pasur.
Pa harruar që në startin e garës, skuadra ka vuajtur edhe destabilizimin për efekt të mungesave të shumta në skuadër, nga dëmtimet por edhe pezullimet e shumta. Ballshiotët kanë huazuar shumë lojtarë gjatë merkatos së verës, teksa kanë dhënë lojtarë hua në Shijak, por edhe në Berat.
Janë afro 10-të lojtarë, të cilëve u është dhënë mundësia që të luajnë, pasi kanë qenë pjesë e skuadrës së Bylisit U-19 dhe U-21 gjatë sezonit të kaluar. Në Ballsh kanë krijuar edhe skuadrën B, që merr pjesë në kampionat krahas atyre U-21 dhe U19. Drejtuesit kanë si synim që ta ngjisin në Kategorinë e Dytë Bylisin B, ndaj edhe mund të rikthejmë tërë të huazuarit, që të jenë pjesë e organikës, ashtu sikundër mund të ketë të tjera huazime.
MERKATO – Bylisi deri tani është divorcuar me lojtarë si: Gabriel Recife mbrojtës, mesfushorët me tipare sulmuese Felipe Souza e Patrik Treni, si dhe Uendel një uinger. Në Ballsh kanë menduar që katër lojtarët e larguar deri tani t’i zëvendësojnë dhe duket se do të jenë 4-5 afrimet që do të kryhen.
Pritet që të ketë afrime në qendër të mbrojtjes, në krahun e djathtë të difensivës, por edhe në mesfushë, me lojtarë qendrorë dhe anësorë, si dhe në sulm, me një lojtar goli. Gjithsesi, në Ballsh nuk duan që të nxirohen dhe synojnë që të bëjnë afrime që do të bëjnë diferencën, për më tepër që skuadra është e plotësuar, ndërsa në pjesën e dytë të garës synohet sidomos mbijetesa por edhe një ecuri sa më e gjatë në Kupën e Shqipërisë.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"