Bylisi “ndryshon mendje” dhe paguan për tifozët, Abazaj: E mundim Skënderbeun
Bylisi është në fund të përgatitjeve për sfidën me Skënderbeun. Lojtarët e tij janë optimistë para duelit me korçarët, ku u bën punë vetëm fitorja, sepse luajnë në fushën e tyre me një rival direkt dhe duhet të marrin 3 pikët për t’u larguar nga fundi i tabelës.
Në një sfidë kaq vendimtare si kjo me Skënderbeun, Bylisi ka nevojë për mbështetjen e tifozëve dhe presidenti Besnik Kapllanaj ka vendosur që të paguajë për pjesën e mbetur të dënimit, në mënyrë që ultrasit të mos mungojnë në “Adush Muçaj”. Bylisi ka dy ndeshje radhazi në shtëpi, ku pas Skënderbeut do të presë Teutën. Pra, brenda një jave ballshiotët luajnë dy ndeshje shtëpiake, që u japin mundësinë të ndryshojnë kurs. Së pari duhet mundur Skënderbeu dhe me ndihmën e tifozëve ky objektiv mund të arrihet.
ABAZAJ – Kapiteni Marin Abazaj thekson për “Panorama Sport” se Bylisi ka një shans shumë të mirë që të bëjë kthesën të dielën. “Prej dy javësh kemi punuar dhe e kemi shfrytëzuar këtë periudhë për ta kthyer në favorin tonë. Stafi ka parë nga afër gjendjen e lojtarëve dhe grupi ka dhënë shenja pozitive. Para Skënderbeut kemi besim se do të vijë kthesa, sepse kemi një grup shumë të mirë. Në skuadër ka konkurrencë dhe kjo na e shton edhe më shumë ‘oreksin’ për të fituar në kampionat.
Janë shumë sfida përpara, kështu që duhet ta harrojmë të shkuarën. T’i marrim ndeshjet një e nga një, të futemi me optimizëm në fushë , duke e parë në sy kundërshtarin. E respektojmë Skënderbeun, por aspak mbivlerësim. Janë një ekip normal, si gjithë të tjerët. Ka ardhur momenti që Bylisi të tregojë vlerat e veta si ekip, duke nisur kthesën. Të gjithë jemi besimplotë se do ta fitojmë ndeshje në shtëpi, duke e mbyllur me nder fazën e parë të garës, ku kemi merituar më shumë për atë që kemi dhënë në fushë. Kampionati ynë nis tani, kemi një grup më të mirë se disa skuadra të tjera në elitë. Kam bindjen se do të shihni një Bylis më kërkues dhe më agresiv”, tha Abazaj, mbrojtësi pogradecar i Bylisit, i cili luan sezonin e tretë në Ballsh.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"