Bylisi në prag, portieri Edmir Sali shqetëson stafin e Dinamos
Transferta e Ballshit është ndeshja e parë zyrtare e Dinamos për vitin 2025. Kjo ndeshje, e vlefshme për javën e 20-të të Superiores, është programuar të luhet ditën e premte, në orën 13:30. Blutë kanë edhe dy ditë kohë për ta përgatitur këtë ndeshje, por trajneri Ilir Daja i ka idetë të qarta për mënyrën si do ta përballojë këtë 90-minutësh. Dinamo pritet të udhëtojë drejt Ballshit me një grup të plotë, sepse thuajse të gjithë janë të gatshëm.
SALI – Shqetësimi i vetëm në kampin dinamovit për momentin është portieri Edmir Sali, i cili ka pasur një problem muskulor dhe mbetet të shihet, nëse do t’ia dalë të rikuperohet në kohë, apo jo. “Gardiani” vlonjat ka munguar edhe në disa ndeshje të mëparshme për dëmtim dhe është zëvendësuar nga Aldo Teqja.
FORMACIONI – Dinamo pritet që në Ballsh të luajë me formacionin e javëve të fundit të 2024-ës, me ndonjë ndryshim të vogël. Prapavija nuk ndryshon, me katërshen tashmë të konfirmuar MeksiDita-Aliji-Lorran. Në mesfushë rikthehet titullar Gudiabi, i cili në ndeshjen e fundit me Egnatian u aktivizua nga stoli për shkak të një problemi shëndetësor. Toli dhe me shumë mundësi Qefalija do të plotësojnë këtë repart, ndërsa Jonuzi, i sapoafruar në skuadër, pritet që ta nisë nga stoli sfidën.
Për të kaluar në sulm, ku i sigurt është Zabërgja, ndërsa Mandela, Bregu dhe Nani luajnë për dy vende. Bregu ka lënë pas dëmtimin që i mohoi jo pak ndeshje të fazës së dytë, por dyshimi është nëse trajneri Ilir Daja do ta hedhë në fushë nga minuta e parë, apo nga stoli.
Mandela ka pasur një shqetësim muskulor pas ndeshjes me Egnatian dhe për të gjithashtu duhet vendosur, nëse e nis si titullar, apo jo. Nani ka treguar një formë të mirë, duke shënuar gola të rëndësishëm për Dinamon dhe duket e vështirë që stafi teknik ta lërë jashtë aktualisht. Gjithsesi, trajneri Daja do të vendosë përfundimisht pas seancës të së enjtes, duke parë me imtësi gjendjen e çdo lojtari që ka në dispozicion. Te blutë nuk mungojnë alternativat në stol, me lojtarë që janë të gatshëm të futen në fushë në çdo moment, si mbrojtësit Hoxha e Rufati, apo të tjerë si, Vila, Karamba, Maliqi, Doçi e ndonjë tjetër.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"