Bylisi në rënie të lirë, zgjedhjet e formacionit bëhen problem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2024 | 17:01

Bylisi në rënie të lirë, zgjedhjet e formacionit bëhen problem

Nëntë javë të luajtura dhe vetëm 5 pikë për Bylisin, i cili e nisi sezonin me ambicie të mëdha. Ama këtë ecuri dhe këto rezultate në fund të fazës së parë, askush nuk i kishte imagjinuar. Ballshiotët duket se janë në “rënie të lirë”, dhe tashmë u bënë plot 5 javë pa marrë asnjë pikë, që kur luajtën me Tiranë në shtëpi, 2-2, ndërsa pa fitore kanë plotë 7 javë.

adush muca bylis

Për statistikë, mundnin Dinamon, 1-0 për javën e dytë në “Adush Muçaj”. Një fazë e parë e mbyllur në mënyrën aspak dinjitoze, me një skuadër thuajse të ndërtuar nga e para dhe që një ecuri të atillë, Bylisi rrallë e ka pasur vitet e fundit, çka përkthehet me rrëshqitje dhe rikthim ndoshta më shpejt nga sa ishte menduar në Kategorinë e Parë. Bylisi e nis shpejt fazën e dytë, por që pritet që pas disfatës me korçarët, ku skuadra dominoi në pjesën e parë e madje edhe shpërdori mundësi ideale shënimi, ashtu si në çdo duel, do të ketë një analizë të fortë, që nga presidenca dhe për mënyrën se si po sillet skuadra.

Bylisi ndodhet në vendin e fundit, e ndonëse janë në lojë edhe tri faza dhe gjithçka duket e rikuperueshme, skuadra duhet që sa më parë të bëjë kthesën dhe ta nisë ndryshe fazën e dytë nëse e ka objektiv mbijetesën. Ajo që bie në sy është ndërrimi i shpeshtë i formacionit dhe lëvizjet e shumta në skuadër thuajse gjatë gjithë fazës së parë. Pas 9 javëve, Bylisi ende nuk ka sigluar 11- shen bazë dhe mos harmonizimi siç duhet i skuadrës duket se ka pasur ndikimin e vet te rezultatet. Madje, ajo që të bën përshtypje është se te ballshiotët janë aktivizuar dhe kanë luajtur deri më tani plot 30 lojtarë, përfshi edhe ata të U-19, siç kanë qenë Marku e Përndreca apo dhe nga U-21, për të shpresuar ndryshimin e shumëpritur.

Nga dje skuadra ka zbritur në fushë, pasi të premten luan ndeshjen e parë të fazës së dytë, teksa pret në Ballsh, Teutën e Durrësit. Ballshiotët do të kërkojnë kthesën dhe stafi është duke punuar dhe lëvizur të gjithë “gurët”, vetëm e vetëm që Bylisi të rikthehet te fitorja, që duket se është kthyer në makth javët e fundit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"