Bylisi rikthehet te fitorja, Besa në zonën “e kuqe”. Bellai: Veçoj dy eurogolat. Bubeqi: Punojmë për mbijetesën
Bylisi rikthehet te fitorja duke mundur Besën me rezultatin 2-0, në saj të golave të shënuar në pjesën e parë me Ruçin dhe Trumçin. Tri pikë të rëndësishme për ballshiotët që gjejnë qetësinë pas disfatës me Vorën javën e shkuar, ndërsa Besa me këtë disfatë rrezikon jo pak.
Kavajasit në përfundim të javës së 25-të kanë zbritur në vendin e parafundit, pozicion i cili të zbret direkt nga kategoria.
Ndeshja –Bylisi kishte katër mungesa të rëndësishme në këtë sfidë, ndërsa Besa në debutimin e trajnerit Bubeqi zbriti në fushë me disa lëvizje në formacion për shkak dëmtimesh dhe pezullimesh. Bylisi e gjeti shpejt rrugën e rrjetës, ku në një aksion pa shumë pretendime, në minutën e 11-të shënoi Flamur Ruçi, i cili kaloi vendasit në avantazh me një eurogol nga distanca. Kavajasit “zgjohen” dhe sulmuesi Mustafa Ba shfaqet i rrezikshëm.
Bylisi gjen golin e dytë dhe në një kombinim perfekt në minutën e 38-të. Trumçi nis topin nga e djathta e mbrojtjes, kombinon me Maçollin që e ridërgon “sferën” te shkodrani që futet në zonë, gjuan bukur dhe shënon golin e dytë duke e mbyllur pjesën e parë me një aksion model. Pjesa e dytë nisi pa ndryshime, por sapo kaluan 5 minuta kavajasit freskojnë ekipin me Shurdhiqin në vend të Puqjes. Edhe trajneri Bellai nis zëvendësimet në minutën e 60-të, ku Papa e Toska hyjnë në vend të Kamarasë dhe Trumçit. Më pas u aktivizua 18-vjeçari Dialo në vend të Lajthisë.
Ndërsa Bubeqi kishte aktivizuar pak minuta para tyre Reçiçën për Mezanin në mesfushë. Bylisi kërkon edhe një gol të tretë. Vlen të përmendim dy episode flagrante në këtë pjesë. Në minutën e 76-të Besa mbeti me 10 lojtarë, me ndërhyrjen e gabuar ndaj Peralës, Spahiu u ndëshkua me të verdhën e dytë. Nga fundi i ndeshjes Besa pati në mundësi me Ba, por portieri Beqaj bëri mrekullinë duke shpëtuar një gol të sigurt.
Bellai: Veçoj dy eurogolat
Arian Bellai, trajneri i Bylisit, pas rikthimit te fitorja për “Panorama Sport” u shpreh: “E kishim vlerësuar ndeshjen, por në fakt na ndihmoi goli i shpejtë i Ruçit. Skuadra u shpreh më lirshëm dhe shënuam edhe golin e dytë. Përgëzoj djemtë që luajtën ndaj Besës, por dua të veçoj eurogolat e shënuar nga Ruçi dhe Trumçi. Duhet të mendojmë për finalen e radhës, ku në Burrel na duhet të bëjmë akoma më mirë”.
Bubeqi: Punojmë për mbijetesën
Dorjan Bubeqi ka debutuar me humbje si trajner i Besës dhe pas ndeshjes u shpreh: “Kam pak ditë në krye të ekipit, bëra më të mirën ku hodha në fushë një grup për të përballuar Bylisin. Djemtë reaguan pas golave, por në takime të tilla duhet të jesh cinik dhe të shfrytëzosh episodet. Besa ka kualitet dhe do të punojmë shumë që të sigurojmë sa më parë mbijetesën dhe pse jo më pas të mendojmë për më shumë. Bylisit i uroj suksese”.
ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"