Çalhanoglu: Ndeshje e madhe, në “San Siro” do ta kishim thyer Sitin. Tani të mundim Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 14:10

Çalhanoglu: Ndeshje e madhe, në “San Siro” do ta kishim thyer Sitin. Tani të mundim Milanin

Hakan Çalhanoglu ka besim që Interi do të fitojë derbin e Milanos. Pas barazimit në Mançester me një prej skuadrave favorite të Champions-it, mesfushori turk thotë se të gjithë u argëtuan dhe bënë një ndeshje të madhe.sgfgHakan, si e vlerësoni ndeshjen kundër Mançester Sitit?

Bëmë një ndeshje të bukur, përballë një skuadre të fortë. Nuk kam asgjë tjetër për të thënë. I provuam të gjitha gjërat dhe ia dolëm. Kishim shanset tona për të shënuar. Mendoj se të dyja ekipet prodhuan futboll të bukur dhe jemi të kënaqur me barazimin në shtëpinë e një prej ekipeve më të forta në botë. Këto ndeshje duhet s’i shijosh. Të luash këtu është gjithmonë bukur.

Sa u argëtuat në këtë ndeshje?

E di që të gjithë janë të kënaqur. U argëtuam të luajmë në një stadium të tillë ndaj një rivali vërtet të fortë. Ne treguam se me sakrificë dhe besim mund të luajmë ndaj ekipeve të forta në botë.

Nuk është e lehtë që të kesh guxim kundër Sitit dhe të ruash planin e përgatitur…

Në këto ndeshje duhet të jesh i përqendruar në 100% për 90 minuta. Detajet janë shumë të rëndësishme. Ashtu siç e kam thënë edhe më përpara, krijuam raste dhe duhet të shënonim. Nuk ia dolëm, por më mirë kështu. Edhe ata patën shanset e tyre për të na ndëshkuar. Pika është e rëndësishme.

Nuk ka shumë skuadra që vijnë në Etihad dhe krijojnë kaq raste.

Donim të tregonim që nuk kishim frikë të luanim këtu. Donim të luanim futbollin tonë me guxim dhe sakrificë. Ia dolëm. E dinim që Siti nuk humbet praktikisht kurrë këtu dhe le të kënaqemi me këtë pikë.

Kjo është hera e dytë që vendosni në vështirësi Sitin…

Duam të vazhdojmë kështu. Duam të tregojmë që Interi është gjithmonë aty. Të luash në transfertë me këto skuadra nuk është e lehtë.

Ju mungoi disi fati në këtë ndeshje?

Po. Pak fat do të na kishte ndihmuar shumë, por përtej kësaj ishim solidë në fazën mbrojtëse. Ata ishin të rrezikshëm në disa situata, por ne ia dolëm t’i bllokonim. Prisnim një atmosferë më të zjarrtë, por nuk ishte kështu. Ndoshta në “San Siro” do ta kishim fituar këtë ndeshje.

Mendoni se mund të shkoni sa më larg në këtë kompeticion?

Do të provojmë. Të shohim hap pas hapi. Është vetëm fillimi dhe sfiduam skuadrën më të mirë në botë. Jemi të kënaqur me rezultatin.

Besoj që tani do të fokusoheni te derbi?

Tani duhet që të rikuperohem pak nga lodhja e madhe e kësaj sfide dhe nga nesër do të mendojmë për derbin. Do të shkojmë më të motivuar në këtë sfidë. Derbi është gjithmonë një ndeshje speciale dhe duhet të vazhdojmë të fitojmë.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"