Çfarë luksi për Inzagin, Interi ka dy formacione
Histori titullarësh dhe bashkëtitullarësh, ashtu siç i pëlqen presidentit Bepe Marota t’i quajë futbollistët e Interit që luajnë më pak.
Ndeshja e Veronës ka sjellë shumë përgjigje pozitive për trajnerin Simone Inzagi, i cili në fakt që prej fillimit të vitit operon në këtë mënyrë: Rrotacion të moderuar, si ku është i detyruar nga dëmtimet ashtu edhe kur vendos që të mos bëjë diferenca mes Serisë A dhe Champions-it. Pas rikthimit nga pushimi, në një ndeshje kaq shumë delikate duke parë edhe kalendarin e të tjerave (Milan-Juventus dhe Napoli-Roma), mundësia për të mos humbur pikë duhet të shfrytëzohej në maksimum.
Por trajneri Simone Inzagi nuk pati frikë që në fushën e lojës të zbriste nga minuta e parë Karlos Auguston. Braziliani sapo ishte rikthyer nga dëmtimi, por bëri një ndeshje shumë të mirë. Bisek shërbeu për të lënë pak pushim Bastonin, ndërsa dyshja Asllani-Korrea për të dëmtuarit Çalhanoglu dhe Lautaro Martinez. Në fakt, “Tucu” do të luante titullar edhe nëse kapiteni do të ishte në pankinë. Nëse lëmë mënjanë portierin dhe krahun e djathtë ku alternohen shpesh Darmian dhe Dumfris (50% me 50% aktivizimi i tyre), janë 4 bashkëtitullarë nga 9.
Praktikisht gjysma e skuadrës. Inzagi ka luksin që të bëjë këto ndryshime dhe të marrë rezultatet pozitive. Vështirësitë e formacionit u shtuan menjëherë kur pas disa minutash u dëmtua Açerbi dhe De Vraj u fut në fushë. Dhe ta quash holandezin rezervë do të ishte një fyerje e madhe. Sa herë është thirrur në apel ai ka bërë ndeshje të mirë dhe në rendiment më të lartë sesa sezoni i kaluar. Kuzhinieri Inzagi është duke “gatuar”, siç e quajnë në rrjetet sociale.
Ai vazhdon të përziejë kartat duke lënë pushim Bastonin, Barelën dhe Turamin në shumicën e rasteve. Këtë herë po vjen Lajpcigu, por askush nuk ka frikë. Duhet theksuar që të gjithë lojtarët e aktivizuar dhe që janë bashkëtitullarë bënë mirë. Për t’u theksuar Korrea dhe Kristjan Asllani. I pari shënoi një gol, asistoi 2 të tjerë dhe goditi shtyllën. Mesfushori i Kombëtares e kaloi provën, ashtu siç e konsideronin mediat italiane dhe u vlerësua maksimalisht.MKITARIAN- Të gjithë pushojnë, me përjashtim të njërit. Sërish 90 minuta të tjera për Henrik Mkitarian, një i paprekshëm për trajnerin Simone Inzagi. Në kampionat armeni ka mbyllur ndeshjen 8 herë nga 13 dhe në 5 sfida të tjera nuk ka zbritur poshtë 56 minutave. Ndërkohë që në Champions mesatarja e minutave është më e ulët: 44 minuta. Me apo pa armenin, Interi ka dy skuadra dhe trajneri duhet patjetër që të bëjë mirë si në kampionat ashtu edhe në Champions. Nuk i falen hapat fals, prandaj presioni tani është mbi atë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"