Çiklizëm/ Kampionati Europian, presidenti Anxhaku: Presim shumë nga Sefa e Demiri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 0:00

Çiklizëm/ Kampionati Europian, presidenti Anxhaku: Presim shumë nga Sefa e Demiri

Nga dita e sotme deri më 12 shtator, në Trento të Italisë do të zhvillohet Kampionati Europian i Çiklizmit, aktivitet ku do të garojnë 800 sportistë nga 50 shtete. Në Europian do të marrë pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet me 9 çiklistët më të mirë të vendit tonë, të drejtuar nga trajnerët Dashamir Rama dhe Luan Sallaku.

anxhaku

Skënder Anxhaku, president i Federatës Shqiptare të Çiklizmit tregon për “Panorama Sport” objektivat e Kombëtares kuqezi për kompeticionin që do të mbahet në Itali: “Kampionati Europian është një nga aktivitetet më të rëndësishme. Shqipëria paraqitet në këtë eveniment me çiklistët më të mirë dhe më të talentuar. Pretendojmë të arrijmë rezultate të rëndësishme, sidomos me kategorinë U-23, pasi kemi sportistë shumë të përgatitur si Mikel Demiri, i cili stërvitet në Itali. Për të, madje kemi pasur shumë kërkesa në drejtim të federatës sonë, me skuadra të tjera që dëshirojnë ta marrin në gjirin e tyre.

Gjithashtu, pretendojmë edhe me Ylber Sefën, pasi bëhet fjalë për një sportist cilësor, i cili na ka dhuruar medalje. Shkojmë me staf të kompletuar dhe synojmë që të futemi të paktën në gjashtë vendet e para. Por dihet që bëhet fjalë për një konkurrencë shumë të lartë, pasi në këtë event merr pjesë e gjithë Europa. Sigurisht vështirësitë janë të mëdha, duke nisur që nga shpenzimet financiare, por sidoqoftë arritëm që të zgjidhnim dhe përveç Europianit do të jemi gjithashtu edhe në Botëror, ku edhe aty do të kemi pretendimet tona”.

SHQIPËRIA

JUNIOR

Brikel Barçi (Studenti)

Nuri Mullalli (Skënderbeu)

Mateo Balaj (Vllaznia)

U-23

Gjergj Zefi (Vllaznia)

Mikel Demiri (Itali)

ELITË

Ylber Sefa (Belgjikë)

Olsian Velia (Tirana)

Marolino Hoxha (Apolonia)

Mejdin Melhani (Tirana)

TRAJNERË

Dashamir Rama dhe Luan Sallaku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"