Çmimet/ Vini më miri edhe në “Globe Soccer”, dy vlerësime për brazilianin
Vincius, Xhud Bellingam, Karlo Ançeloti … Reali i Madridit kanë qenë protagonistët e mëdhenj në ceremoninë festive të ndarjes së çmimeve “Globe Soccer Awards” të dhënë dje në Dubai. Pa trofe nuk ka mbetur as veterani portugez i Al-Nasr, Kristiano Ronaldo, i cili është shpallur lojtari më i mirë në Lindjen e Mesme për vitin 2024.
Në fakt në ceremoninë e djeshme e gjithë vëmendja ka qenë te yjet e rinj të Realit të Madridit dhe te vetë kampionët e Europës që kanë dominuar skenën, duke marrë 6 nga 15 trofetë e dhuruar me këtë rast.
Protagonisti i madh ka qenë Vinicius Zhunior, i cili e ka mbyllur vitin 2024 edhe me dy trofe të tjerë personalë pas atij të “Lojtarit më të mirë të Vitit” dhënë nga FIFA vetëm pak javë më parë. Dy trofe që i kanë lehtësuar sadopak dhembjen për humbjen e trofeut më të rëndësishëm në planin personal “Topin e Artë” të fituar nga Rodri Hernandez (Mançester Siti).
Në ceremoninë e djeshme, e 15-ta në histori, Vinicius ka fituar fillimisht trofeun “Sulmuesi më i mirë” dhe më pas dhe trofeun më të rëndësishëm të mbrëmjes “Lojtari i vitit” ku ai ka mundur sërish rivalin e tij në çdo kompeticion, Rodri Hernandez. Në fund të vitit bilanci është 2-1 për brazilianin e Realit.
BELLINGAM DHE REALI – Dy trofe në mbrëmjen e djeshme ka fituar dhe mesfushori i Realit të Madridit, Xhud Bellingam. Ai ka fituar trofeun e veçantë “Maradona” si dhe trofeun “mesfushori më i mirë”. Por dominimi i Realit nuk ka mbaruar këtu. Trajneri Karlo Ançeloti është shpallur “Trajneri më i mirë”, ndërsa Reali si skuadër është shpallur “skuadra më e mirë e vitit”.
BARCELONA DHE RONALDO – Pa trofe nuk ka mbetur as Barcelona, me katalanasit që kanë marrë tri çmime, dy prej të cilave me vajzat me Aitana Bonmatin dhe skuadrave e femrave dhe tjetrin me Lamin jamal që u shpall “zbulimi i vitit”. Një trofe ka shkuar edhe për Kristiano Ronaldon, që u shpall “lojtari më i mirë në Lindjen e Mesme”.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"