Çudia e radhës, Tirana-Laçi do të luhet në stadiumin e Korçës. Ja prapaskenat për vendimin e klubit
Tirana do të luajë të shtunën në orën 17:00 në Korçë, sfidën me Laçin ose 163 km distancë nga kryeqyteti.
Bardheblutë kishin kohë deri në orën 10:00 të ditës së enjte, të gjenin fushë, sepse në të kundërt puna bëhej pisk. Ky ishte ultimatumi i djeshëm i sektorit të garave në FSHF. Klubi dhe institucioni i futbollit kishin ditë që diskutonin për stadiumin ku do të luhet ndeshja mes Tiranës dhe Laçit.
Kryeqytetasve dje i është mbyllur dera në Vlorë, Elbasan. Më pas ra edhe Vora për çështje teknike. Laçi kërkoi të luante në shtëpinë e tij si udhëtues. Edhe në Kukës ishte e vështirë. Në fund u vendos të luhej në Korçë ose 163 km nga Tirana. Bardheblutë do të paguajnë gjithashtu 6 milionë lekë të vjetër për marrjen me qira të stadiumit. Gjithsesi, e mërkura ka qenë e ethshme dhe plot prapaskena për gjetjen e fushës ku do të luhet takimi Tirana-Laçi.
ELBASANI – Drejtuesit kishin menduar për ta bërë ndeshjen në Elbasan. Drejtuesit e impiantit kërkuan 7 milionë lekë për sfidën, por më pas gjithçka u prish, pasi Elbasani nuk pranoi të luante të hënën, sepse ka takim vetë të shtunën dhe më pas në mesjavë do të zhvillohet sfida Tirana-Vllaznia.
VLORA – Edhe nga Vlora ka ardhur “fermani” për jo. Kuqezinjtë kanë njoftuar se kanë mbjellë fushën dhe nuk mund të presin Tiranën, siç bënë në fundjavën e shkuar. Në këto kushte, bardheblutë tani duhet të mendonin për një plan tjetër.
VORA – Tirana i kishte kërkuar FSHF-së që sfidën ta spostonte në Vorë, por ky plan është hedhur poshtë. Stadiumi nuk plotëson kushtin e VAR-it dhe për këtë qëllim ndeshja nuk mund të bëhet atje. Për më tepër që RTSH kish kërkuar që nëse luhet larg kryeqytetit duhet të njoftohej shumë më parë.
LAÇI – Me disa stadiume që ishin të zëna, mundësia tjetër ishte që Tirana të luante sërish në Laç. Kurbinasit vunë kusht që të luanin në stadiumin e tyre si udhëtues, fakt që nuk u pranua nga kryeqytetasit. Bardheblutë shpeshherë kanë luajtur jashtë në Korçë apo Kukës gjatë viteve të fundit. Kujtojmë që në gjashtë javët e ardhshme Tirana luan katër herë si pritëse, por asnjë herë në kryeqytet.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"