Çudira shqiptare/ Ligji në fuqi, por bastet sportive janë ende në “ajër”
Që prej 1 prillit të këtij viti hyri në fuqi ligji që rikthente bastet sportive “online”, duke u lënë kohë 6 muaj strukturave përkatëse për të ngritur platformën e duhur të funksionimit të kësaj industrie.Fundi i muajit shtator shënon edhe afatin e fundit për hapjen e tyre, por mesa duket në këtë pjesë, Qeveria shqiptare ka dështuar dhe me shumë mundësi rikthimi i basteve “online” do të shtyhet sërish. Sipas asaj që mëson “Panorama Sport”, afati do të shtyhet për në janar, por edhe pse kaluan gjashtë muaj, Qeveria nuk ishte e aftë që të plotësonte të gjithë elementët për të ngritur një industri të rregullt, serioze, të planifikuar, të studiuar mirë, ku të mos lerë vend për abuzime, që është pika më e rëndësishme. Sipas ligjit është shkruar se do të jenë vetëm 10 licenca që do të jepen në territorin e Shqipërisë, ku nuk përjashtohen edhe kompani të huaja, mjafton të jenë në përputhje me kushtet që ka vendosur Qeveria.
Por, diçka e tillë që në fillim nuk pritet të ndodhë. Sipas asaj që mësohet, fillimisht do të jepen vetëm tri licenca në kompani të ndryshme, ndërkohë gradualisht do të përzgjidhen edhe kompanitë e tjera që do të marrin nj licencë. Nga sa bëhet e ditur, interesi është i lartë, por duket e pakuptimtë se përse diçka e tillë po zvarritet. E keqja e kësaj historie është se një pjesë e njerëzve janë në dijeni se bastet sportive “online” janë të ligjshme (sepse ligji kaloi më 1 prill 2024) dhe shkojnë pa ndrojtje dhe luajnë një biletë, por pasojat janë arrestime të shumta nga Policia e Shtetit, që lejon si në kryeqytet dhe jashtë tij, vende ku luhen hapur baste dhe nuk ndërhyn, sepse disa struktura në policinë e shtetit janë të lidhur me pronarin e kompanisë që pranon baste në të zezë.
Kjo situatë duhet të marrë drejtim dhe Qeveria duhet të luajë duart, duke ngritur komisionin që do të vlerësojë aplikimet e kompanive dhe të japë licencat, që gjithçka të funksionojë në mënyrë të kontrolluar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"