Cungu dorëzohet përfundimisht, Laçi vendos për timonierin kundër Dinamos (SITUATA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2024 | 12:06

Cungu dorëzohet përfundimisht, Laçi vendos për timonierin kundër Dinamos (SITUATA)

Në ndeshjen e sotme me Dinamon skuadra e Laçit do të drejtohet nga italiani Françesko Pasiatore. Klubi nuk ka marrë ende një vendim për trajnerin e ri dhe të paktën për këtë ndeshje ia ka besuar drejtimin e ekipit 53-vjeçarit që ka drejtuar disa skuadra moshash dhe të futbollit inferior në vendin fqinj.

Pasiatore

Ai erdhi te Laçi për të bërë rolin e përgatitësit atletik, siç u tha pak ditë më parë, por nuk përjashtohet mundësia që Pasiatore të bëjë trajnerin edhe në vazhdim, sidomos nëse kalon me sukses ndeshjen me Dinamon. Si emra kandidatësh për të marrë drejtimin e Laçit kanë përmendur serbi Marko Jovanoviç dhe së fundi edhe Artan Mërgjyshi. Mbetet për t’u parë tani se çfarëdo të ndodhë konkretisht me stolin e kurbinasve.

DINAMO – Sa i takon ndeshjes së sotme me Dinamon, probleme kanë Myrta dhe Lima. Opeh, i cili doli nga fusha që në pjesën e parë të ndeshjes me Teutën për një shqetësim fizik, duket gati për të qenë në fushë. Pritet gjithashtu të rikthehet për këtë ndeshje edhe mesfushori Kleandro Lleshi, i cili mungoi ndaj durrsakëve.

Kurbinasit kanë pasur probleme me gjetjen e golit, çka i ka penalizuar edhe në marrjen e pikëve në këto 7 javë. Laçi mbyll tabelën e klasifikimit me vetëm 3 pikë, një situatë që solli edhe largimin e trajnerit Armando Cungu pas humbjes me Teutën në shtëpi. Për të disatën herë, sot do të kërkohet fitorja e parë në kampionat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"