Debatet, Gjika dhe Haxhiu presin Flamurtar superior. 90 minuta larg heqjes së ultimatumit në Vlorë
Shpëtim Gjika përgë zon Flamurtarin për fitoren me Vorën, ndërsa thekson se kjo përballje tregon se sa vlen kjo skuadër. Në një koment të lënë në faqen zyrtare të klubit në “Facebook”, ish-presidenti i vlonjatëve ndihet mirë që kuqezinjtë ia dolën me sukses.
“E ndoqa me shumë interes ndeshjen. Një fitore e merituar e Flamurtarit, që erdhi pas një ndeshje zhgënjyese javën e parë dhe një trepikëshi rehabilitues me Erzenin. Duke u nisur dhe nga kundërshtari, ishte tamam ndeshja e vërtetë për të treguar se sa vlen ky Flamurtar dhe më e rëndësishmja çfarë ambicie, perspektivë dhe objektiv kanë këta djem dhe stafi. Dhe ekipi ia doli me sukses. Jo vetëm për rezultatin, por mbi të gjitha për t’iu imponuar kundërshtarit dhe prezantuar denjësisht publikut. Përtej fitores, modestish mendoj se ka ende punë për të bërë dhe gjëra për të rregulluar. Për shembull, në pjesën e dytë, futja në lojë e një lojtari 10-të fantazist, P. Pjeshka, duke zëvendësuar një mesfushor me tipare shkatërruese, i dha më shumë larmi dhe cilësi lojës në fazën sulmuese.
Në ndeshjet në Vlorë, lypset të tregojmë agresivitet, në çdo moment dhe për çdo top, gjë që u realizua me sukses. Jashtë, duhet të luajmë trimërisht dhe mbi të gjitha mençurish. Mundësitë dhe kapacitetet janë. Sa më shumë punë e përkushtim dhe larg euforisë. Të mos harrojmë që jemi ende ne Kategorinë e Parë dhe është detyrim të shkojmë aty ku fanella kuqezi e ka vendin, në Superiore! Urime për fitoren! Forca Flamurtar. Se nuk harroj unë, na riktheni stemën”, përfundon ish-presidenti Gjika.
HAXHIU – Saimir Haxhiu komenton në vijim të Shpëtim Gjikës. Ish – futbollisti vlonjat parashikon se Flamurtari do të konfirmohet shumë shpejt në udhëheqjen e kampionatit. “Shpëtim, fitorja gjithmonë është e bukur dhe nuk diskutohet, por loja kishte më shumë grintë se sa shkëlqim. Ky investim në lojtarë dhe kjo skuadër do ketë kundërshtarë vetveten. Mungojnë gjuajtjet në portë dhe elementë të tjerë të lojës së murit, e cila kërkon cilësi të lartë teknike. Ky Flamurtar këtë vit do të konfirmohet shumë herët në udhëheqje të këtij kompeticioni, por e pres më spektakolar në lojë sepse lojtarët i ka”, komenton Haxhiu.
90 minuta larg ultimatumit në Vlorë
Kanë mbetur edhe 90 minuta për t’u luajtur që të hiqet ultimatumi i vendosur nga drejtuesit e lartë të klubit vlonjat. Pas humbjes në javën e parë u kërkua që ekipi të merrte 9 pikë të plota në tri ndeshjet në vijim, në mënyrë që të mos hynte në zbatim operacioni “fshesa”. Pjesë e ultimatumit ishin përballjet e radhës me Erzenin në transfertë, me Vorën në shtëpi dhe me Kukësin në “Kukës Arena”. Në dy ndeshjet e para të besuarit e trajnerit Agostineli ia kanë dalë me sukses, ku përveç pikëve të plota, kuqezinjtë kanë mbajtur edhe portën e pa prekur. 2-0 në Shijak dhe 3-0 së fundmi kundër Vorës. Të martën misioni duhet të përmbushet në transfertë ndaj Kukësit, që këtë sezon po vuan shumë.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"