Debutimi në Champions, Mota: Juvja pa presion edhe pse nuk fiton që nga 1996

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 9:31

Debutimi në Champions, Mota: Juvja pa presion edhe pse nuk fiton që nga 1996

Juventusi rikthehet të luajë në Ligën e Kampioneve, ndërsa Tiago Mota do të bëjë debutimin absolut në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë.

tiago mota

Përballë “Zonjës së Vjetër” në Torino do të udhëtojnë kampionët e Holandës, PSV-ja. Në prag të kësaj sfide tekniku bardhezi së bashku me mesfushorin Manuel Lokateli kanë treguar për mediat pritshmëritë, duke mos e fshehur objektivin për të dalë nga kjo ndeshje me tre pikë.

“Është një krenari e madhe, për më tepër që do të luajmë në shtëpi kundër një skuadre të mirë. Mezi po pres që të fillojë ndeshja. Do të jetë një takim i bukur ku duam të bëjmë një paraqitje të madhe për të dalë me rezultatin në favorin tonë”, u shpreh fillimisht Tiago Mota.

PSV- “E rëndësishme është që të kemi respekt për të gjithë kundërshtarët. Ne duhet të mendojmë për veten dhe për atë që duhet të bëjmë në fushë. Ata janë një skuadër që janë mësuar të kenë kontroll të lartë të topit, prandaj ne duhet të rikuperojmë shumë dhe të jemi të mirë në manovrën e lojës”.

FORMATI I RI- “Formati i vjetër më pëlqente shumë, por edhe ky tani. Ndryshon fakti që do të përballemi me më shumë skuadra të ndryshme, por është format i bukur dhe stimulues. Për kampionatin nuk mendoj se do të na ndikojë.

KOPMEINERS- “Nga ai presim njësoj si e gjithë pjesa tjetër e ekipit. Nëse do të luajë, do të zhvillojë një ndeshje të madhe. Bashkë me shokët e tij të skuadrës mund të bëjë gjëra të mëdha.

TROFEU- “Fakti që nuk po fitojmë trofeun që prej vitit 1996, nuk mendoj se na vendos në presion. Juventusi ka një histori të bukur që e mbart me vete në nivel botëror. Juvja ka shumë tifozë dhe shumë gjëra të bëra mirë, dhe ne këtë histori e shohim në mënyrë pozitive”.

VLAHOVIÇ- “Ai është mirë dhe di si t’i përballojë kritikat. Jam i sigurt që do të fillojë të shënojë. Fakti që nuk kemi pësuar gol është edhe meritë e tij dhe nëse nuk shënon nuk ka faj vetëm ai”.

LOKATELI
Përveç trajnerit Mota, në konferencën për mediat u shfaq edhe mesfushori Manuel Lokateli i cili njësoj si kreu i stolit, mezi po pret të zbresë në fushë. “Liga e Kampioneve na ka munguar shumë vitin e kaluar. Jemi të emocionuar dhe mezi presim të futemi në fushë. Himni i këtij kompeticioni është diçka e veçantë dhe tifozët do të na japin gjithashtu një dorë. A ndihem lider? Skuadra ka ndryshuar shumë. Megjithatë, unë jam një nga lojtarët më të vjetër këtu dhe duhet që të jap shembullin tim”.

EMPOLI- “Është e qartë që nuk morëm rezultatin që donim dhe kjo gjë na mërziti pak. Megjithatë, për ne ajo ndeshje ka kaluar. Tani duam të bëjmë një ndeshje të madhe përballë tifozëve tanë”.

MESFUSHORËT – “Ne kemi afruar disa mesfushorë që do të risin nivelin e skuadrës. Kemi karakteristika të ndryshme nga njëritjetri, por mua më pëlqen shumë që të luaj me ta”.

KARAKTERI – “Frika nuk duhet të ekzistojë në futboll. Është një kompeticion i rëndësishëm që të gjithë duan të luajnë. Ne po punojmë mirë çdo javë dhe duhet të fillojmë përsëri nga puna dhe dëshira për t’u përmirësuar”.

Përgatiti: OREST FLOKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"