Debutoi me Apoloninë, mbrojtësi shkodran largon panikun në Fier. Omer Repaj: Me një fitore ngjitemi lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 12:25

Debutoi me Apoloninë, mbrojtësi shkodran largon panikun në Fier. Omer Repaj: Me një fitore ngjitemi lart

Apolonia mori një pikë mes shumë vuajtjesh kundër Burrelit në “Loni Papuçiu”. Mbrojtësi Omer Repaj luajti sfidën e parë si titullar këtë sezon. Shkodrani është kthyer në një alternativë të mirë në prapavijë dhe për “Panorama Sport”, ai pohoi se skuadra ka bërë përparime nën drejtimin e trajnerit të ri, Sedat Pajaziti.

omer repaj

Barazuat me Burrelin në Fier, a jeni i kënaqur me një pikë?

Absolutisht jo, pasi lamë dy pikë në Fier. Fitorja do na shërbente për të dalë përkohësisht nga zona “e ftohtë”, por pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Duhej më shumë besim dhe saktësi në finalizim. Krijuam raste të pastra për gol, sidomos pas pësimit të golit në pjesën e dytë. Ishim të pafat deri në momentin kur Maksuti shënoi. Mendoj se duke parë se si shkoi rrjedha e lojës prisnim dhe meritonim më shumë. E them këtë, sepse ishim ekipi që krijuam më shumë raste. Kështu e ka futbolli, jo gjithmonë fiton ekipi më i mirë në fushë.

U bënë 5 ndeshje pa fitore në kampionat. Çfarë po ndodh tek Apolonia?

Në pesë ndeshjet e fundit në kampionat kemi marrë tri humbje dhe dy barazime, nuk janë rezultate të mira dhe kjo bën të jemi në një moment të vështirë. Pavarësisht rezultateve të fundit zhgënjyese, ne duhet të punojmë më shumë për të rregulluar pjesët ku kemi më shumë probleme, bashkë me trajnerin Pajaziti, i cili po bën një punë të mirë.

A ndiheni të rrezikuar për qëndrimin në këtë kategori?

Nuk mendoj se jemi të rrezikuar. Jemi në vendin e 10-të dhe një fitore shkojmë në vend të 6-të, sepse diferenca është vetëm 3 pikë. Diferenca me Burrelin e vendit të 5-të dhe Kastriotin e vendit të 4-t është 6-7 pikë. Është e mundur përmbysja, jemi në kohë edhe për “play off”.

Në javën e tetë u aktivizuat për herë të parë si mbrojtës i djathtë tek Apolonia. Çfarë ndjesie patët?

Debutimin me fanellën bardhejeshile e bëra në Kupë kundër Këlcyrës, ndërsa të hënën më erdhi momenti edhe në kampionat. Ndihem shumë mirë, është privilegj dhe përgjegjësi shumë e madhe të vesh këtë fanellë. E prisja këtë moment nga paraqitjet në stërvitje prej dy muajsh.

Jeni përshtatur dhe ambientuar në Fier?

U bënë dy muaj në Fier dhe jam ambientuar e përshtatur shumë shpejt. Është një ambient shumë i ngrohtë dhe çunat, të gjithë pa përjashtim, janë shumë të mirë dhe mikpritës. Jam si në shtëpinë time.

Kush është idhulli juaj në futboll?

Idhull është fjalë e madhe, por lojtar të preferuar kam Dani Karvahal.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"