“Dede i dha shansin lojtarit që solli me vete”, afrimi i bujshëm i verës “arratiset” pas një muaji nga Bylisi: Nuk më pëlqen mënyra se si trajtojnë futbollistët
Klubi i Bylisit prej rreth një jave, nuk ka në radhët e tij një futbollist që e kishte afruar me shumë bujë gjatë merkatos së verës. Ish-sulmuesi i përfaqësueses së Azerbajxhanit, Amil Junanov, i ka dhënë lamtumirën skuadrës ballshiote dhe është kthyer në vendlindje, pasi është mërzitur se nuk është aktivizuar me rregullsi në radhët e këtij ekipi.
Junanov ka luajtur vetëm një ndeshje me ballshiotët, pak ditë pasi mbërriti në vendin tonë, e pastaj është lënë në harresë. Ndaj ai ka vendosur të largohet nga Bylisi, edhe pse siç ka treguar ai, nuk ka tërhequr ende dokumentacionin nga klubi i cili ka qëndruar në heshtje të plotë rreth kësaj çështje.
“Unë shkova në Shqipëri me shpresa të mëdha. Për fat të keq, gjërat shpesh nuk shkojnë si e mendojmë. Kur iu bashkova Bylisit, unë u prezantova dhe luajta menjëherë me skuadrën e parë. Më vonë, u ndërrua trajneri. Mbërritja e Nevil Dedes në skuadër nuk ishte e suksesshme për mia. Unë isha gjithmonë me rezervat. Ai më tha që sapo isha transferuar ndaj nuk do të luaja si titullar. Megjithatë, ai shpesh i jepte shansin një sulmuesi tjetër që kishte sjellë me vete. Në këtë rast, nuk kishte më arsye pse të vazhdoja të qëndroja aty”, tha Junanov për mediat në vendlindje rreth këtij vendimi që kishte marrë.
“Unë dëshiroja të fitoja dhe të luaja e të ndihmoja skuadrën time, Qëllimi im ishte të ndihmoja sa më shumë të mundesha Bylisin dhe që ekipi të ecte përpara me golat që do të shënoja. Për fat të keq, ata nuk më dhanë një shans dhe mua nuk më pëlqente mënyra se si i trajtonin futbollistët. Ka shumë gjëra për të thënë, por në këtë moment nuk e kam të nevojshme”, vijoi ai.
Edhe pse praktikisht është “:arratisur” nga Shqipëria, sulmuesi shpreson që të mbyllë me mirëkuptim kontratën njëvjeçare me ballshiotët. “Kontrata nuk është mbyllur, unë dua që çdo gjë të mbyllet paqësisht. Shpresoj që çdo gjë të jetë në rregull në një të ardhme të afërt’, e mbylli deklaratën e tij futbollisti i cili iu bashkua ballshiotëve në gjysmën e dytë të shtatorit.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"