Dejvid Janaqi: Transfertë e vështirë me Teutën, por Skënderbeu i kalon problemet dhe tregon vlerat
Skënderbeu vijon nga Durrësi përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Teutës në transfertë. Pas dy humbjesh në dy javët e fundit korçarët kërkojnë rikthimin te rezultatet pozitive dhe sigurisht që një gjë të tillë e synojnë përmes një loje të mirë dhe besimin te cilësitë e grupit.I tillë është mendimi i mesfushorit bardhekuq Dejvid Janaqi i cili karikon grupin para një ndeshjeje të vështirë siç është ajo ndaj Teutës. Për Janaqin, Skënderbeu duhet të rikthehet te rezultatet pozitive për të lënë pas këtë moment jo fort të mirë dhe mbi të gjitha pozicionin në të cilin ndodhet në renditje.
“Janë dy ndeshje që nuk kemi mundur të marrim pikë dhe ndaj na duhet një reagim në ndeshjen e radhës. Vijmë nga dy humbje dhe kjo nuk është diçka e mirë për objektivat që kemi si klub. Por, kemi lënë pas gjithçka dhe po mundohemi të përgatisim më së miri ndeshjen e radhës. Do të jetë një sprovë e rëndësishme për ne ndaj duam që të tregojmë vlerat tona për të lënë pas këtë moment jo pozitiv. Këto dy takime kanë pasur specifikat dhe problematikat e tyre ndaj nuk dua të ndalem gjatë pasi tashmë është koha që të mendojmë për ndeshjen e radhës që do të jetë një takim i rëndësishëm dhe i vështirë pasi ky sezon është tejet i luftuar me të gjitha ekipet që do të luajmë”, theksoi fillimisht Dejvit Janaqi.
TEUTA- I ndalur më pas te ndeshja e radhës me Teutën, korçarët duhet që të kalojnë këtë moment negativ dhe të përqendrohen sepse duhet me çdo kusht reagimi.
“Luajmë një transfertë të vështirë me Teutën që është një ekip me cilësi dhe na ka krijuar probleme në sezonet e fundit. Nuk do të jetë e lehtë pasi në këtë sezon nuk ka ndeshje të lehta ndaj duhet të bëjmë maksimumin tonë me qëllim që të marrim atë që ne kërkojmë. Po përgatisim ndeshjen mirë dhe duam të tregojmë maksimumin e vlerave tona. Mendoj se kemi potencialin e duhur për të lënë pas këtë moment të vështirë dhe për të marrë një rezultat pozitiv në Durrës. Kampionati është i gjithi i luftuar dhe duhet që në çdo ndeshje të japim më të mirën tonë. Nuk ka ndeshje të lehta dhe ky është një fakt”, theksoi mesfushori i Skënderbeut.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"