Del Piero i shkel syrin Juventusit: Dua rikthimin! Ju tregoj pengun e vetëm në karrierë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2024 | 9:23

Del Piero i shkel syrin Juventusit: Dua rikthimin! Ju tregoj pengun e vetëm në karrierë

Legjenda e Juventusit Alesandro Del Piero është shfaqur si kurrë më parë në një intervistë ku ka folur për vitet e tij të arta me “Zonjën” e vjetër, por gjithashtu i shkel syrin drejtuesëve për një post në klub.del pieroNë retrospektivën që Del Piero bën, flet pa filtra për ngjarje të ndryshme te Juvja, përngjet si dhe shembujt që ai ka ndjekur. “Keqardhja e vetme në karrierën time është finalja e humbur e Europianit. Unë kam një mentalitet ku fitimi i titujve ishte objektivi im kryesor.

Isha i lumtur gjithmonë kur shënoja gol dhe fitoja, ishte skenari më i mirë për mua. Mentalitetin e fituesit e kam pasur që fëmijë”, shprehet fillimisht Del Piero që më pas flet për raportin që ka me kamerën dhe peshën e fjalës që një idhull ka te publiku. “Kur jam përballë kamerave mendoj mbi të gjitha për fëmijët. Për këtë gjë nisem nga vetja, sepse kur isha i vogël dëgjoja gjithmonë Platininë se çfarë thoshte dhe bënte.”

VËSHTIRËSITË- “Viti i parë për mua ka qenë i vështirë. Ishte viti i fundit i Trapatonin, një nga më të mëdhenjtë. Ne dolëm nga gara për titull edhe pse Juvja duhet të ishte gjithmonë aty për të luftuar. Në Kupën Uefa u eliminuam në çerekfinale dhe në fund të atij sezoni ndryshuan shumë gjëra që nga trajneri deri te nivelet drejtuese.”

LARGIMI- “Kisha mundësinë që të largohesha nga Juventusi në vitin 2006, përpara Kupës së Botës. Ishim në një situatë të vështirë pas Calciopoli-t. Megjithatë unë qëndrova dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Ne donim të ktheheshim në Serinë A dhe të fitonim dhe kjo gjë ndodhi. Nuk doja ta lija Juven në atë gjendje, doja t’i tregoja diçka njerëzve, tifozëve, por edhe vetes time. Eksperienca në Serinë B më është dukur si diçka jo reale pasi kishte gjatë gjithë kohës luftë edhe jashtë fushës. Unë duhet të merrja peshën më të madhe në skuadër. Ishte gjithçka e re për mua, por gjithashtu edhe për klubin.”

E ARDHMJA- “Futbolli më mungon çdo ditë, madje duhet të kthehem pas në kohë. Jam shumë i lumtur për atë që jam duke bërë dhe nuk pendohem. Kam marrë licencën e trajnerit edhe pse për momentin nuk dua që ta ushtroj si profesion. ”

RIKTHIMI- Do të ishte një histori shumë e bukur për ta jetuar dhe treguar. Ajo që më ka ndodhur mua me Juven, në atë periudhë kohë, nuk i ka ndodhur më parë asnjë lojtari tjetër. Një lojtar që u kthye në legjendë te Juventusi, që nuk e braktisi skuadrën, por luajti edhe në Serinë B, që u rikthye në elitë edhe fitoi sërish. A e shoh veten në klub në të ardhmen? Do të më pëlqente shumë, është klubi im. Megjithatë, mendoj se është diçka që duhet të vijë natyralisht. Mendoj se do t’i bënte mirë edhe shoqërisë nëse do të kishte pjesë të saj një njeri që e njeh mirë mentalitetin, tifozët, por nuk jam unë ai që vendos për diçka të tillë. Në raste të tilla më vjen në mendje Maldini te Milani, Toti te Roma dhe Zaneti te Interi, duke u bazuar edhe te çfarë po bën ky i fundit me zikaltrit. ”

Del Piero president- “Për momentin e kemi një president, por të shohim çfarë do të ndodhë (qesh). Juventusi është pjesë e jetës time, kaloj më shumë kohë në Torino se në qytetin ku kam lindur. Edhe nëse nuk ndodh asnjë gjë mes nesh në të ardhmen, kjo nuk ndryshon atë çfarë ka ndodhur mes meje dhe tifozëve. Ne kemi shkruar historinë së bashkë, diçka e bukur dhe e pabesueshme. Nuk do të ndihesha kurrë i tradhtuar për një telefonatë që mund të mos vijë. Ndonjëherë gjërat ndryshojnë, unë jam i qetë dhe i përqendruar të ajo që jam duke bërë”, u shpreh ndër të tjera ish-numri 10 i “Zonjës së Vjetër”.

OREST FLOKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"